Raporti i Dick Martyt, banal (38)
Shkruan: Kudusi LAMA
Me të tilla banalitete ju vazhdoni të merreni edhe në pikat 63, 64, 65, të raportit në fjalë ku, siç duket, duhet vetëm ta mbushësh raportin, pasi shumë gjëra i keni përsëritur nga një pikë në tjetrën pa far kriteri. Në atë kohë në Shqipëri kanë qenë të gjitha mediat e botës dhe e kanë pasqyruar me detaje gjithçka ka ndodhur në vend, prej fronteve të luftës e deri në Kryeqytet të Shqipërisë, në Tiranë. Por në atë kohë çdo familje shqiptare ishte e hapur për të mbajtur të shpërngulurit, që Millosheviqi me forcat e tij dhe me ju nuk i lejoj të qëndronin në shtëpitë e tyre në Kosovë, e cila u la me gjakun e jo më pak se 12 mijë qytetarëve e qytetareve shqiptare të pa armatosur. Por vetëm për trafikim të qenieve njerëzore, shitje të makinave të vjedhura e tregti seksi nuk i shkonte mendja askujt se në përleshje me ushtrinë dhe policinë serbe nuk kishin kohë për këto që përmendni ju.
Më habit deklarimi juaj se në atë kohë “tregtia e heroinës dhe e narkotikëve të tjerë kontrollohej në mënyrë të dhunshme nga Hashim Thaçi dhe anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’”. Pasi e di mirë se në atë kohë Thaçi nuk dinte ku kishte kokën, jo të merrej me tregti heroine e të tjera drogash, që unë nuk i njoh, siç pretendoni në pikën 66 të raportit tuaj. Dhe për këtë thërrisni në ndihmë edhe shërbimet sekrete të botës, veçse ata nuk kanë emrin e Thaçit e ju e emërtoni pa hezitim. Sidoqoftë kjo është punë për ju dhe për Thaçin, i cili besoj se do të ketë aq fuqi sa të pastrojë veten nga akuza të tilla të rënda dhe t’iu tregojë vendin ju atje në Evropë a kudo të jeni. Unë mund të them se gjuha juaj është shumë e rëndë dhe realisht duhet shumë forcë logjike të quash gjakftohtësinë në përballje me etiketime si tuajat.
Në pikën 68, shpreheni: “Gjatë hulumtimeve tona, kemi pasur të dhëna se shumë anëtarë të tjerë të njohur të “Grupit të Drenicës” kanë qenë bashkëfajtorët kryesorë të llojeve të ndryshme të veprimtarive kriminale. Ndër ta figurojnë Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, secili prej tyre ka qenë objekt akuzash të shumta pas dyshimesh për krime lufte apo për bashkëfajësi me keqbërës, përfshirë edhe për çështje të rëndësishme që u janë drejtuar prokurorëve të UNMIK-ut, të GJPNIJ-së dhe EULEX-it. Deri më sot, ata të gjithë i kanë shpëtuar çdo drejtësie efektive”. Se nga i keni marrë të dhënat kjo tashmë është e kuptueshme, por besoj se edhe kur të gjithë këta që i përmendni të fitojnë pafajësinë pas raportit tuaj, ju nuk do të keni guximin t’i kërkoni falje Këshillit të Evropës për shpërdorim të detyrës dhe a do t’i kërkojë falje kombit shqiptar Këshilli i Evropës që ka rënë rob i mashtrimeve tuaja. Dhe për këtë unë personalisht kam një shije të hidhur, kur lexoj se ju arrini deri atje sa të përçmoni edhe vendimet e Gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, e cila i ka shpallur të pafajshëm të gjithë ata që deri tani janë akuzuar për këto krime, që po e përsërisni akuzën ju. Por ju prapë shkoni me mendimin se ata duhet të ishin dënuar. Çfarë fatkeqësie për ju që nuk e keni realizuar këtë dëshirë, që besoj duhet ta keni të kahershme.
Sinqerisht më habit fakti që ky raport i juaj është marrë seriozisht, kur ju përgjithësisht merreni me hamendësime, me paramendime dhe me dhënie idesh se si duhet të ishte vepruar për këtë apo atë person a grup në Kosovë. Veç ajo që më indinjon është fakti që përgjithësisht, deri në detaje informatat që jepni ju dhe arsyetimet që përdorni e akuzat që bëni përputhen si dy pika uji me ato që serbët i kanë deklaruar gjithnjë prej kohës së luftës e deri më tani. Pra, duket që ju zotëri nuk keni informacion tjetër vetëm ato të serbëve, prandaj edhe në vazhdimësi më duket sikur realisht raportin ua kanë servirur serbët e ju vetëm e keni nënshkruar dhe ia keni paraqitur Këshillit të Evropës. Unë në pjesët e tjera të këtij punimi shumë çështje i kam arsyetuar e shumë të tjera do t’i arsyetoj në vazhdim deri në përfundim të këtij reagimi.
Në pikën 73 deklaroni me hamendje: “Anëtarët e ‘Grupit të Drenicës’ duhet të kenë marrë gjithashtu në dorë kontrollin e fondeve themelore të vëna në dispozicion të UÇK-së për të financuar përpjekjet e luftës. Ky grup duhet të ketë bërë me rrjetet ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar shumë marrëveshje që duhet t’i ketë dhënë mundësinë për t’u zgjeruar dhe për t’u përhapur në fusha të reja veprimtarie, krahas rrugëve të reja të kontrabandës drejt vendesh të tjera të Evropës”. Duke arsyetuar, dua të ju sqaroj se: Së pari, Thaçi nuk besoj se është fare pjesë e vendimmarrjes për themelimin e “Fondit Vendlindja Thërret”, pasi ky vendim është marrë kolegjialisht në kryesinë e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, si një nevojë imediate për të tërhequr burime financiare nga diaspora për interesat e luftës, sepse nuk kishte asnjë mundësi tjetër financimi. Këto fonde, siç pranoni edhe ju, vinin para nga kontributet e derdhura nga diaspora kosovare; të cilat ishin vënë në llogari bankare të huaja, konkretisht në Gjermani e Zvicër, thoni ju por duhet ditur se “Fondi Vendlindja Thërret” ka shtrirë veprimtarinë e tij në gjithë globin, deri në SHBA e në Zelandën e Re. Ato realisht janë fondet që kanë financuar luftën, pa përjashtuar edhe ato fonde, për të cilat duhet të ketë dokumente, që janë dhënë, siç thonë drejtuesit e luftës edhe nga qeveria në ekzil e Kosovës, që drejtohej nga Bujar Bukoshi. Por unë nuk di të ketë pasur të ardhura të tjera, siç thoni ju “me rrjetet ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar”, pasi po të kishte një marrëdhënie të tillë, gjendja e fuqizimit të UÇK-së do të ishte më e mirë. E për grumbullim fondesh për interesa personale unë nuk besoj se kishte mundësi në atë kohë, pasi hapësirat ishin shumë të kufizuara edhe sikur vërtetë dikush të kujtohej. Por unë jam i bindur se as nuk kujtohej kush për këtë mundësi, përgjithësisht unë kam vrojtuar se për gjëra të tilla mund të kujtohen vetëm ata që nuk guxojnë të përleshen me armë me armikun dhe i vidhen luftës, pikërisht të tillë duhet të jenë edhe dëshmitarët e zotëri Martyt. Verifikojini dhe binduni.
Më poshtë le të ndalemi tek pika 74, ku ju zotëri pasi thoni: “…përgjegjësia e parë për dy seritë e krimeve të papranuara dhe të përmendura në këtë raport, duket se bie mbi drejtuesit e “Grupit të Drenicës”: administrimi i rrjetit adhoc të qendrave të burgimit të UÇK-së në territorin shqiptar dhe përcaktimi i fatit të robërve të ruajtur në këto qendra, dhe konkretisht civilë të shumtë rrëmbyer në Kosovë dhe dërguar përtej kufirit, në Shqipëri”. Ju në radhë të parë zotëri i vërtetoni vetes, ato që thoni. Kësaj ne shqiptarët i themi: “Lala Kros, lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”. Ju çfarë thoni, nuk i quani dyshime por “të pranuara”, që domethënë se ju doni të jeni edhe politikan, edhe prokuror, edhe gjykatës, që nuk besoj se mund të arrish t’i kryesh.
Ndërsa më poshtë caktoni një seri burgjesh në Shqipëri, ku sipas jush janë burgosur shumë njerëz të rrëmbyer në Kosovë e të burgosur në Shqipëri, sikur në Shqipëri nuk kishte shtet, nuk kishte polici, nuk kishte shërbim informativ, nuk kishte ushtri, nuk kishte popull, por vetëm një shkretëtirë, që e paskan shfrytëzuar kriminelët që caktoni ju dhe që i zbuloni kur iu mbushet mendja t’i zbuloni.
Njëkohësisht, nuk merret parasysh se kufiri me Serbinë ishte shumë problem të kalohej me një barrë armë për të hyrë e jo më të kalohej me një kolonë të robërish për t’i sjellë në Shqipëri.
Sidoqoftë unë zotëri kam qenë atje në Kukës në atë kohë dhe po ju them se nuk ka pasur burgje të tilla. Po të kishte unë pa tjetër duhet e do ta kisha marrë vesh, pasi mendoj se përveç që kam qenë Komandant i asaj zone të nxehtë, e si i tillë kam pasur struktura të plota për të mbajtur nën kontroll gjithçka, por kam pasur edhe një mbështetje mbarë popullore në atë zonë, ku mund të them se kam pasur marrëdhënie shumë të ngrohta dhe besnikërie me gjithë popullin e zonës.
Por ju nuk doni të dini të vërtetën, pasi po të kishe një dëshirë të tillë do të kishe bërë pyetjen se kush ishte komandant në këtë zonë dhe çfarë bënte ky komandant kur në kufirin që kishte për detyrë të mbronte hidheshin çdo ditë me dhjetëra e deri me qindra predha artilerie e edhe raketa mëmë – bijë, të cilat për fat dolën me defekt, se për ndryshe do të kishin vrarë me qindra e ndoshta mijëra qytetar shqiptarë të pafajshëm nëpër oborret e tokat e tyre në Shqipëri, pasi miqtë tuaj serb, nuk kanë hezituar në asnjë moment ta bëjnë këtë, por që ne jo nga frika, por për kujdes, që na është dukur plotësisht i motivuar, u përpoqëm t’i shmangemi një lufte ndërshtetërore me Serbinë, pasi kishim kuptuar se tek ajo ishte një dëshirë e tillë, për të tërhequr vëmendjen e botës tek lufta ndërshtetërore, që të masakronte në hije Kosovën.
Ndërsa zhvillohej kjo situatë në atë kohë, ju vini tani pas dhjetë vjetësh dhe na hidhni në opinion informacionin bombastik, sikur në Shqipëri nuk kishin punë tjetër veçse të krijonin dhe të administronin edhe burgje ilegale. Dhe kush t’i organizonte këto burgje? Ata djemtë luftëtarë që nuk kishin gati zakonisht as bukë me djathë apo me qepë të thata për të ngrënë për vete. Dhe këto nuk i kam me të thënë, por me të parë me sy vetë. Jeni duke bërë krim zotëri, por unë nuk di si do të marrësh ndëshkimin për këto krime që po i modifikon në mënyrën më monstruoze. Të shpresoj të vijë ajo ditë, që ai Këshilli i Evropës, që e mori seriozisht raportin tuaj, të iu kërkojë llogari, si dhe mediat që u mashtruan nga ju, t’u a nxjerrin bojën prej shpërdoruesi të detyrës fisnike të deputetit evropian dhe krimineli ordiner.
Në pikën 75, bëni edhe zbulimin e një bashkëpunëtori tjetër në krim, duke e zgjeruar grupin, mjekun Shaip Muja. Ashtu duhet, hap pas hapi duhet krijuar struktura, mirë e keni. Por unë do të doja që mjekut Shaip Muja t’i kërkohej llogari se nuk ka pasur mundësi të sigurojë medikamentet për të cilat kishin nevojë luftëtarët nëpër fronte, që edhe kur i siguronte aq sa mund të siguronte, nuk gjente dot mjete e rrugë për t’i çuar tek luftëtarët, pa për të krijuar rrjete për heqje organesh e për transplante, s’di se si mund t’i realizonte. Ndoshta duke vrapuar rrugëve për të kryer detyrat që merrte.
Për atë kohë ky mendoj ka qenë “doktori’, ndërsa pas luftës, pse është bërë pjesë e politikës ndoshta është fajtor, pasi i ka prishur punë ndonjë eksponenti të UDB-së që do të duhej të ishte deputet, kurse Shaipi të punonte në një qendër shëndetësore po të lejonte ai (udbashi) që të punonte. Vazhdoni zotëri Marty, krijojeni skuadrën, se po nuk u krijua skuadra nuk mund të bëhesh i besueshëm. Vërtetë, nuk duhet të konsideroheni i pa aftë, por shumë skrupuloz. Mirë more Shaip, po paske pasur edhe helikopter në dispozicion e nuk e vure asnjëherë në dispozicion as për të tërhequr luftëtarë të plagosur nga frontet, e le më për të bërë furnizime deri afër fronteve me medikamente, se me armë e municione jo se jo. Si nuk e paskemi ditur se ti kishe edhe helikopter e shokët ecnin me ditë të tëra në këmbë? Si nuk e paskam ditur deri sot unë që isha aty, e vjen zotëri Marty e ta gjen pas dhjetë vjetësh? Çudi o Doktor Shaipi. Hajde more zotëri Marty. Po bomba atomike ka pasur UÇK-ja? A mos ka bërë edhe trafikime të tilla? Se i zbulon ti. Sa qesharak bëhesh more zotëri. Po ne jemi lodhur duke lutur gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar e nuk kishin mundësi të na ndihmonin me helikopter për të transportuar luftëtarë të plagosur rëndë, që ndoshta edhe kanë dhënë jetën prej kësaj mungese, e ti na e bën doktor Shaipin me helikopter privat. E zgjata pak, se mu duk shumë qesharak ky deklarimi i helikopterit të Shaipit. Ndërsa pronat tjera le t’i gjejë zotëri Marty në Shqipëri se Shaipi qenka pronar i madh.
Për ta kuptuar ata që nuk do të përtojnë të lexojnë këtë reagim ndaj këtij raporti banal, gjithçka që ka shkruar ky zotëria në raportin e tij është e vërtetë aq sa ç’është e vërtetë që Shaip Muja paska pasur një helikopter privat.
Së pari, ju nuk mund të imagjinoni UÇK-në si forcë të Armatosur e të organizuar zotëri Marty, pasi në pikën 84 ju prapë e quani “grupëzime të ndryshme”, thuajse në atë ushtri nuk ka pasur fare hierarkie. Ky është një mashtrim, pasi atë disiplinë dhe hierarki unike të UÇK-së e ka njohur gjithë bashkësia evropiane e ShBA-në që organizuan e realizuar me të Konferencën e Rambujesë dhe NATO-ja, që organizoi e realizoi në bashkëpunim me të një luftë, që u quajt prej komandantit të NATO-s – gjeneralit Uasli Klark – luftë moderne. Ashtu sikurse ju, prapë e quani Thaçin si drejtues të të ashtuquajturit prej jush “Grupi i Drenicës”, kur ai ishte në ato çaste kreu i UÇK-së dhe kreu i qeverisjes së Kosovës por, siç duket, serbët me shpjegimet e tyre për Drenicën ta kanë futur aq shumë tmerrin saqë, ndoshta, ju shfaqet edhe ëndërr, pasi edhe serbëve Drenica, siç themi ne shqiptarët, ua ktheu patkonjtë nga dielli. (Vijon)