Raporti i Dick Martyt dhe Gjykata Speciale për “krimet e luftës” së UÇK-së (29)

18 gusht 2020 | 11:30

Shkruan: Kudusi LAMA

Për të qenë i drejtpërdrejtë, me raportin që diktoj krijimin e një gjykate speciale dhe tentimin për ta njollosur historinë më të re të Kosovës, do të merremi imtësisht. Dhe këtë me dy qëllime, së pari, për ta komentuar për çdo paragraf dhe, së dyti, që ta njohin të gjithë lexuesit.

Që në titullimin e këtij raporti është e kuptueshme keqdashja dhe bindja në vërtetësinë e tij, pavarësisht se është një raport informues. Ky raport është titulluar “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Vetëm duke iu referuar këtij titulli unë, po ta kisha të drejtën e referimit logjik, do ta kisha quajtur të paligjshëm raportin dhe autorin e tij, jo ta lejoja ndërmarrjen e hapave të tillë, sa të krijohet një gjykatë speciale për të hetuar ata që çliruan vendin e tyre, me akuza të paracaktuara dhe të parafabrikuara, që konsiderohen aq të vërteta sa nuk kanë nevojë të hetohen më tej, veçse të dënohen të gjithë luftëtarët.

Në vijim raporti thekson: “Sipas informacioneve të mbledhura, tregues të shumtë konkretë dhe konvergues konfirmojnë se disa serbë, si dhe disa kosovarë shqiptarë janë mbajtur rob në vende të fshehta burgimi që ishin nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë, dhe u janë nënshtruar trajtimeve çnjerëzore e poshtëruese, për t’u zhdukur më pas përfundimisht. Tregues të shumtë me sa duket vërtetojnë se, në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi. Edhe pse disa prova konkrete ka pasur edhe më përpara për ekzistencën e trafikimeve të tilla qysh në fillim të dhjetëvjeçarit, autoritetet ndërkombëtare që ushtronin pushtetin në rajon nuk e panë të nevojshme që të bënin një shqyrtim të thelluar të këtyre rrethanave, apo e bënë atë në mënyrë jo të plotë e sipërfaqësore”.

Që në fillim zotëri Marty duket se tregon, që në raportin e tij do të sjellë diçka,të cilën të tjerët nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Dhe për çudi fillimisht bën një akuzë të rëndë për shtetin shqiptar, pasi jep idenë që ky shtet nuk e paska kontrolluar hapësirën e vet, sepse brenda tij mund të krijoheshin vende burgimi të fshehta. Një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë, pasi unë kam qenë aty dhe di mirë gjithë veprimtaritë që janë kryer e njëkohësisht aty kanë qenë gjithë shërbimet e botës dhe gjithë mediat e botës. Jam krejt i sigurt se në atë kohë, po të ishte ajo pasiguri që pretendon zotëri Marty, nuk do të guxonin në qëndronin gazetarët nga e gjithë bota, të cilët kanë pasqyruar me saktësi gjithçka.

Nëse shkohet me mendimin se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë jashtë kontrollit përsëri gabohet. Ata kanë qenë shumë të organizuar dhe me një disiplinë të fortë.

Zotëri Marty shprehet: “në periudhën fill pas përfundimit të konfliktit të armatosur, përpara se forcat ndërkombëtare të merrnin në dorë kontrollin e rajonit dhe të vendosnin rendin e ligjshmërinë, organe të trupit u janë marrë disa robërve në një klinikë në territorin shqiptar, pranë Fushë-Krujës, për t’u transportuar më pas jashtë shtetit për qëllime transplantimi”. Po ku e mësoi ky zotëri se forcat ndërkombëtare kanë marrë kontroll në shtetin shqiptar? A vërtetë e beson këtë? Në Shqipëri ka pasur rend, qetësi dhe siguri, sepse në të kundërt do të ishte bërë batërdia me 1 milion njerëz të shpërngulur nga Kosova prej forcave fashiste të Serbisë së Milosheviqit që ky zotëri i shërben, të cilët jetuan për një periudhë të vështirë, por pa u ndodhur asgjë. Më habitin ata që i kanë thënë atij hetuesi se në Shqipëri kanë kontrolluar forcat ndërkombëtare, pasi për atë e kuptoj se një gjë të tillë e shkruan me dëshirë, vetëm të arsyetojë veprën e tij akuzuese, pasi këtë detyrë i kanë vënë padronët serb. A ndoshta ia kanë shkruar krejt raportin dhe ai vetëm e ka deklaruar atë.

Organizatat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë u prirën drejt një qasjeje politike pragmatiste, duke menduar se duhej doemos favorizuar stabiliteti afatshkurtër, dhe duke sakrifikuar kështu disa parime të rëndësishme të drejtësisë. Ka qenë i pamjaftueshëm hetimi për lidhjen e anëtarëve të UÇK-së me krime lufte të kryera kundër popullsisë serbe dhe kosovarëve shqiptarë. Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve ndërkombëtarë në gjirin e misionit të EULEX-it, ngarkuar për të ndjekur pretendimet për trajtime çnjerëzore, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një trafikim të mundshëm organesh, ka bërë përparime, konkretisht ka provuar ekzistencën e vendeve të fshehta të burgimit të UÇK-së në veri të Shqipërisë, ku thuhet se janë kryer trajtime çnjerëzore, madje edhe vrasje.

Çudi që një organizim ndërkombëtar me UNMIK-un, EULEX-in dhe KFOR-in, që ne shqiptarët i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë organizata shumë të fuqishme, vjen një zotëri i gjithëditur dhe konstaton se nuk kanë punuar mirë. Duhet patjetër të vinte ai e të “ndriçonte” gjendjen pas një dhjetëvjeçari. Por ajo që më krijon një befasi është fakti se në këtë raport këtyre organizatave u jepet hapësirë kontrolli edhe në Shqipëri, pasi gjithçka sipas autorit të raportit ka ndodhur në veri të Shqipërisë. Në fakt këto organizata kanë bashkëpunim me Shqipërinë, por nuk e kanë nën kontroll atë.

Duhet goditur, pa kurrfarë kompromisi, mosndëshkimi i autorëve të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Fakti që këto shkelje janë kryer në kuadrin e një konflikti të dhunshëm, nuk mund të përligjë kurrë heqjen dorë nga ndjekja penale e autorëve të akteve të tilla. Nuk mundet dhe nuk duhet të ekzistojë një drejtësi për fitimtarët dhe një tjetër drejtësi për të mundurit.

Më vjen mirë që në këtë raport (kuptohet për interesat e autorit) pranohet se Serbia është e mundur dhe UÇK-ja është fitimtare në këtë luftë, pasi deri tani shumëkush përfshi edhe Serbinë janë përpjekur ta zbehin këtë fitore. Por, zotëria raportues është i shqetësuar se qenka përdorur një standard drejtësie ndryshe për humbësit dhe ndryshe për fitimtarët e luftës. Ama, që këta fitimtarët nuk kanë qenë në pozita të barabarta gjatë luftës me humbësit, këtë ai nuk donë ta marrë në konsideratë. Që ata humbësit kanë masakruar një popull të tërë ditën për diell duke vrarë mbi 12 mijë civilë të të gjitha moshave dhe duke shpërngulur 75 për qind të popullsisë e duke zhdukur mbi 2 mijë shqiptarë, kjo nuk i bën përshtypje fare.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera ndihmuese duhet t’i përcaktojnë EULEX-it një objektiv të qartë dhe t’i japin mbështetjen e nevojshme politike për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, me qëllim që drejtësia të vihet në vend, pa u prirë kurrsesi nga ndonjë përfitim politik. Shqipëria dhe administrata kosovare duhet të bashkëpunojnë pa rezervë për hetimet e sotme dhe ato në të ardhmen.

Paragrafë të përgjithshëm si ky më sipër mund të përdoren për të gjitha shtetet e botës, pasi gjithkund ka probleme si në Kosovë. Por shkruesi i raportit nuk shqetësohet për këtë. Shqetësimi i tij qëndron që të ndërtohet një mundësi gjuetie shtrigash kundër ish luftëtarëve të UÇK-së. Direktiva e tij është shumë domethënëse, pasi ai bën paralajmërimin e gjithkujt që mund e do të mbështesë ish luftëtarët e UÇK-së se veprimet bëhen për përfitime politike. Realisht është shumë i thellë në këto instrumentime, po pse edhe kërcënues, këtë nuk arrij ta kuptoj.

Në rezolutën që është bashkë shoqërues i raportit është theksuar se “Asambleja Parlamentare u njoh me mjaft shqetësim me njoftimet e ish Kryeprokurores pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (GJPNIJ), e cila pretendoi se gjatë konfliktit në Kosovë ishin kryer krime të rënda, përfshirë trafikim organesh njerëzore, krime që deri më sot kanë mbetur të pandëshkuara dhe nuk kanë qenë objekt i asnjë hetimi serioz”. Gjë që le të kuptohet që në fillim, se në gjithë dokumentet e këtij raporti flitet sikur hetimi ka përfunduar, gjithçka është vërtetuar dhe tani duhet vetëm të lëvizin policët për të arrestuar fajtorët. Është vërtetë e çuditshme se si mund të punohen e pranohen në organe të larta politike dokumente të tilla. Dhe në vijim të bindjes shkruhet: “Gjithnjë sipas ish Kryeprokurores, këto akte ishin kryer nga anëtarë të milicive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) ndaj shtetasve serbë mbetur në vend në fund të konfliktit të armatosur dhe tê cilët ishin zënë robër”.

Mua më krijon mjegull edhe një praktikë që ndiqet në përpilimin e këtij raporti dhe të dokumenteve shoqëruese, sepse thuhet: ”Sipas informatave të mbledhura nga Asambleja dhe sipas hetimeve penale në proces, shumë tregues konkretë e konvergues konfirmojnë që disa serbë, si dhe disa kosovarë shqiptarë janë mbajtur robër në vende të fshehta burgimi të kontrolluara nga UÇK-së në veri të Shqipërisë dhe i janë nënshtruar trajtimeve çnjerëzore e poshtëruese, deri sa më në fund u zhdukën”. Po kush ishin këta njerëz, nga ishin, si quheshin, ku e kanë familjen, me çfarë pune janë marrë, cilët janë ata që i njohin? Për këto nuk thuhet asgjë, thuajse flitet për veprime imagjinare për të trembur fëmijët.

Megjithatë bën përshtypje se në rezolutë thuhet: “Gjatë fazës vendimtare të konfliktit të armatosur, NATO-ja ndërhyri me anë goditjesh ajrore, ndërkohë që operacionet tokësore drejtoheshin nga UÇK-ja, aleate faktike e forcave ndërkombëtare. Pas largimit të autoriteteve serbe, aktorët ndërkombëtarë të ngarkuar me sigurinë në Kosovë u mbështetën gjerësisht tek forcat politike në pushtet në Kosovë, të dala kryesisht nga kuadro të UÇK-së”. Gjë që mbështetet në të vërtetën. Por brenda vetë dokumentit ka kontradiktë, pasi këta luftëtarë të UÇK-së, ose janë kriminelë që kanë zhdukur njerëz, ose janë luftëtarë që mbajtën peshën tokësore të operacioneve luftarake të NATO-s nga ajri.

Në pikën 10 të rezolutës në fjalë thuhet: “Organizatat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë u prirën drejt një qasjeje politike pragmatiste, duke menduar se duhej doemos favorizuar stabiliteti afatshkurtër, dhe duke sakrifikuar kështu parime të rëndësishme të drejtësisë. Për një kohë të gjatë, pak u bë për t’u dhënë përgjigje sinjalizimeve që implikonin anëtarë të UÇK-së në krime kundër popullsisë serbe si dhe kundër Kosovarësh shqiptarë. Në fakt, menjëherë pas përfundimit të konfliktit, kur UÇK-ja kishte praktikisht e vetme kontrollin në terren, u kryen shumë larje hesapesh midis tarafesh të ndryshme dhe ndaj atyre që konsideroheshin, pa asnjë formë procesi gjyqësor, si tradhtarë, sepse dyshoheshin se kishin bashkëpunuar më parë me autoritetet serbe në vend”. Duket sikur shqetësimi është thjeshtë pse UÇK-ja e kishte kontrollin e Kosovës pas përfundimit të luftës dhe pikërisht për këtë kjo periudhë duhet të konsiderohet periudhë kriminale. Po pse kush dëshironin shkruesit e rezolutës ta kishte kontrollin?

Dhe në vijim lexoni se sa keqdashës është shkruesi i kësaj rezolute: “Emocioni që ngjallën në rrafsh botëror krimet e llahtarshme të bëra nga forcat serbe krijoi një atmosferë të tillë, që mund të vihej re edhe në qëndrimin e disa instancave ndërkombëtare, duke u mbështetur në mendësinë se disa konsideroheshin doemos si xhelatë, dhe të tjerët si viktima, pra pashmangshmërisht të pafajshëm. Realiteti është më i nuancuar e kompleks”. A e kuptojnë lexuesit poshtërsinë e shkruesit me tendencën për të barazuar shqiptarët e masakruar me serbët masakrues? (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se ka pranuar me…