Raporti i Dick Martyt, dorëzohet në Kuvendin e Shqipërisë kërkesa për ngritjen e një komisioni
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për hetimin dhe pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë.
Kërkesa për ngritje e Komisionit të posaçëm hetimor është firmosur nga 18 deputetë të mazhorancës
Në kërkesën e dorëzuar në Kuvend është thënë se Komisioni do të hetojë edhe rolin e politikanëve apo partive politike shqiptarë në raportin e Dick Marty.
“Komisioni i posaçëm i Kuvendit duhet të hartojë një raport të detajuar përmbledhës dhe informues për të gjitha këto çështje dhe t’ia prezantojë Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati tre mujor. Komisionit duhet t’i vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike, sipas legjislacionit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar”, është thënë në kërkesën e PS-së dorëzuar Kuvendit, shkruan “Lapsi.al”.
Në fund të kërkesës është thënë se Komisioni i posaçëm i Kuvendit duhet që në përfundim të punës sipas objektit dhe raportit të miratuar përmbledhës të hartojë një projekt rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje.