Raporti i Dick Martyt i nisur si punë e thjeshtë ka sjellë një ndërlikim absurd (13)
Shkruan: Kudusi Lama
Çdo punë niset ashtu thjesht. Ndërlikimet vijnë më vonë. Ashtu besoj se ka nisur edhe raporti i Dick Martyt. Këshilli i Evropës, kur ka kërkuar të bëhet një raport i tillë, shpresoj të mos i ketë menduar prapaskenat serbe që do të ndikonin të krijohej një situatë, çfarë është krijuar dhe çfarë problemesh po sjellë në Kosovë, mbi luftëtarët e UÇK-së, por dhe me shqiptarë që nuk e kanë dëshiruar çlirimin nga Serbia dhe çlirimin e konsiderojnë pushtim nga UÇK-ja.
Por Serbia i ka pasur të paramenduara të gjitha nivelet e arritjes së këtij projekti antishqiptar. Prej kur është gjetur një i dashuruar pas serbëve e Serbisë si zotëri Marty. Askujt vërtet besoj se nuk i ka shkuar ndërmend se do të arrihej të krijohej një situatë e tillë që të ngrinte në këmbë një opinion të tërë. Por, ja që në rrjedhën e ngjarjeve që po zhvillohen, shihet se deri ku mund të arrijë ambicia serbe.
Duket sikur ka nisur një punë të thjeshtë, por ka bërë një ndërlikim absurd. Sepse bën tentativë ta mbartë llumin e krimeve serbe për t’i hedhur mbi shqiptarët duke ua vënë firmën dhe vulën në emër të Evropës. Realisht në mënyrën si është shprehur në raport zotëri Marty, duket se në shpirtin e tij ka, përveç kundërshqiptarizmit, që është i pakuptueshëm, edhe racizëm; tentativë kriminale të veshur me kostumin e antikrimit. Duke u përpjekur të godasë jo thjesht individë, por gjithë ecurinë kombëtare shqiptare, pasi ai godet në radhë të parë shtetin e Shqipërisë, duke e konsideruar një shtet që, përveç të këqijave dhe dëmeve, nuk i paska sjellë gjë tjetër rajonit (se shqiptarët nuk kanë ndonjë vlerë për zotëri Martyn), Evropës, por edhe më gjerë. Ashtu sikurse nëpërmjet veprës së tij për mua monstruoze, Marty zhvlerëson plotësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të lavdishme; individët drejtues të kësaj ushtrie dhe institucionet udhëheqëse të saj dhe të luftës çlirimtare, që na sollën lirinë e këtyre trojeve, si dhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë botës politike-ushtarake më moderne të kohës; pavarësinë e Kosovës që është rrjedha normale e kësaj lufte të diktuar për të shporrur kolonizimin serbo-sllav. Por për ta justifikuar gjithë këtë revansh kundërshqiptar, merret nisma për ta goditur edhe NATO-në e ShBA-në që, sipas zotëri Martyt, kanë bërë padrejtësi që kanë ndihmuar shqiptarët e pushtuar për ta fituar lirinë. Nuk di se si do ta kishte zgjidhur çështjen e shqiptarëve të pushtuar ky jurist i Evropës, që i duket padrejtësi pse ata janë çliruar dhe mundohet me të gjitha shpifjet mafioze t’i quaj të padenjë për të qenë të lirë.
Gjithë kjo lojë fjalësh, i titulluar raport në emër të Evropës, nuk duhet lejuar ta përdhosë qytetarinë evropiane. Unë e di se Evropa nuk ka kohë të merret me thashetheme dhe shpifje të nivelit më të ulët të mundshëm, si në raportin në fjalë, që realisht është gatuar në Beograd, me autorësinë legale të një njeriu të shitur, të veshur me rrobën e Evropës. Me këtë raport, duket se Evropa, duke e vlerësuar si diçka të thjeshtë, ka rënë në kurthin e monstruozitetit.
Unë nuk jam kundër raportit të Këshillit të Evropës, as kundër hulumtimit për përpilimin e një raporti të tillë, por për përpilimin e raporteve të tilla ka disa parime vlerash të cilat janë: Parimi i barazisë; parimi i të drejtës; parimi i qytetarisë; parimi i transparencës; parimi i ndershmërisë; parimi i etikës; parimi i profesionalizmit; parimi i detyrës; parimi i arsyes; parimi i humanizmit; parimi i argumentit etj. Zbatimi i këtyre parimeve nuk do ta kishte lënë zotëri Martyn të bënte një raport siç e ka bërë. Por, kur nuk merren parasysh parime të tilla do të zënë vend parime të tilla si: Parimi i shpifjes; parimi i zhvlerësimit; parimi i padrejtësisë; parimi i banditizmit; parimi i mafiozitetit; parimi i barbarizmit; parimi i pandershmërisë; parimi i kriminalitetit; parimi i revoltës; parimi i forcës etj. Do të bëhet raporti çfarë është bërë dhe do të zhvleftësojë një komb të tërë për interesa personale të një Marty e për interesa kriminale të një pushtuesi dhe masakruesi, çfarë ishte dhe është Serbia për shqiptarët e trojet e tyre.
Jam i sigurt se në këto kushte e drejta do të triumfojë, por nuk kemi kohë për të humbur në beteja të tilla ne shqiptarët, pasi kemi shumë punë për ta ndërtuar jetën tonë, e po na imponohen edhe beteja të tilla që na bëjnë të humbim kohë.
Njëkohësisht kam shumë të qartë se Gjykata për Krimet e Luftës e UÇK-së, që shqiptarët e pranuan vetë pa hezitim, megjithëse personalisht jam kundër kësaj krijese, nëse do të mbështetet në parimet e vlerave, do ta ndëshkojë rëndë moralisht, politikisht dhe ligjërisht Dick Martyn dhe të gjithë ata që mendojnë e veprojnë si ai, përfshirë edhe Serbinë. Përfundimisht bota e civilizuar do të kuptojë njëherë e mirë se cili është portreti i shqiptarëve dhe e drejta e tyre e do t’u japë atyre atë që u takon, duke i treguar vendin gjithsecilit që ka bërë përpjekje për ta njollosur atë portret në arenën ndërkombëtare.
Serbia i ka vrarë e shfarosur shqiptarët e pushtuar për një shekull të tërë, por atyre që kanë mendësi si zotëri Martyt nuk u bën përshtypje. Për ta me rëndësi është si t’i vrasin shqiptarët. Dhe vrasja nuk është vetëm kur ajo realizohet me armë, por edhe me dokumente të tilla si ky raport. Zotëri Marty nuk ka si i vret shqiptarët ndryshe se nuk i është dhënë mundësia, por në mënyrën e tij ai ka përdorur të gjitha llojet e armëve për t’i asgjësuar ata të gjithë. Dhe kjo është vrasje më masive se vrasja me armë, pasi krijon një ushtri shumë milionëshe që i besojnë raportit të tij në emër të Evropës. Qytetarët e botës që nuk kanë njohje për shqiptarët krijojnë bindje sipas deklarimeve të këtij raporti. Prandaj edhe shihet se Dick Marty me mentorët e tij serbë në Beograd e kanë shfrytëzuar mirë institucionin e Evropës për të bërë këtë monstruozitet të madh kundërshqiptar.
Nuk më shkon mendja të mendoj se edhe një i dytë e ka ditur se çfarë do të kurdisë zotëri Marty me raportin e tij. Të gjithë ata që kanë pranuar të ngarkojnë me detyrë këtë zotëri, për të bërë këtë hetim e për të raportuar, e kanë vlerësuar me mendimin se ai duke qenë evropian ka ndershmërinë të bëjë diçka të ndershme dhe të sjellë ato të vërteta që mund të kenë ndodhur në Kosovë. Askush besoj nuk e ka ditur se një lëvizje e tillë do të ishte e kompozuar me kohë në Beograd dhe tani po caktohej vetëm një dirigjent formal, që do të sillte në atë organ të rëndësishëm evropian një raport që tashmë ishte i përgatitur me kohë. Raport i cili do të kishte për synim të rehabilitonte Serbinë dhe gjithë veprimtarinë e saj kriminale në Kosovë e viset shqiptare të pushtuar dhe ta krijonte idenë se shqiptarët vetëm Serbia kishte mundur dhe mund t’i mbante nën sundim, pasi ata ishin të rrezikshëm. Gjithnjë kam menduar se Evropa nuk mund të bjerë në kurthin e një individi nga radhët e saj, por kur është programuar pabesia, ja që edhe Evropa qenka delikate dhe mund të bjerë në kurth, siç ka rënë në kurthin e raportit të serbo-Martit.
Ndihem i habitur, si ka mundësi që një Këshill i Evropës të bjerë në një kurth të tillë dhe mos të arrijë të kuptojë se cila është lënda e parë për raportin në fjalë. Si ka mundësi që ata deputetë të atij parlamenti të nderuar të mos kenë kuptuar se gjithë ai raport mbështetet thjesht dhe vetëm thjesht në shpifjet e deklaruar me kohë të Serbisë, në dosjet e ndërtuara prej saj kundër shqiptarëve, në aktpaditë fiktive dhe në aktgjykimet e mbështetura në dëshmitarë pa identitet, në propagandën mediatike dhe në artin e ndërtuar me kujdes për Kosovën dhe shqiptarët. Si ka mundësi që këta parlamentarë nuk kanë mundur të kuptojnë se gjithçka është ndërtuar sipas parimeve të zbatuara prej Serbisë që gjatë luftës, kur denonconte dhe e klasifikonte botërisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si terroriste dhe kontrabandiste. Nuk mund të besoj se këta deputetë të Parlamentit të Evropës nuk kanë lexuar asgjë për këtë periudhë dhe nuk e kanë pasur të qartë se si është zhvilluar situata në ato treva të pushtuara. Që të mos jenë të sqaruar qytetarë të ndryshëm nëpër Evropë për zhvillimet politike-ushtarake të Evropës nuk më duket ndonjë gjë e çuditshme, por që parlamentarët e Evropës të mashtrohen kaq lehtë prej një kolegu të vet të shitur, që me veprën e tij e njollos emrin dhe reputacionin e të gjithëve, këtë nuk kam arritur ta kuptoj kurrë dhe nuk di a do ta kuptoj ndonjëherë.
Por kur kam lexuar se “…ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, ka shkuar deri në akuzën kolektive kundër shqiptarëve”, duke u shprehur se “kjo është fytyra e vërtetë e Kosovës”, bindem plotësisht se cili është qëllimi i gjithë këtij raporti që ka marrë autorësinë e Evropës. Vërtet qëllimi i këtij raporti tenton ta kriminalizojë fytyrën e Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Nuk di a i lexon këto deklarata zotëri Marty, apo është edhe ai pjesë e përpilimit të tyre, pasi ka krijuar gjithë këtë ndërlikim, duke përfituar nga qytetaria evropiane, të cilën mendoj se e ka shfrytëzuar për ta ndyrë fytyrën e gjithë shqiptarëve, duke u përpjekur ta ndyjë shenjtërinë e tyre, luftën çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët e saj. Duket se duke bërë këtë raport kundërshqiptar, u ka dhënë Serbisë dhe autoriteteve politike e ligjore serbe të drejtën të bëjnë deklarata të tilla që e komprometojnë atë dhe krijojnë një situatë që është e çuditshme pse nuk e kuptojnë evropianët, pasi nuk dua të besoj se është dëshira e tyre ta krijojnë pikërisht këtë situatë komprometuese për veten, kur besoj se edhe ata lexojnë të tilla informacione publike si: “Ndërkaq prokurori i Serbisë ka deklaruar se institucioni i tij ka shkëmbyer të gjitha informacionet e nevojshme me Dick Marty, duke dëshmuar se është njëkohësisht autori kryesor i aktakuzës politike kundër Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Madje dosja e prokurorisë serbe rreth këtyre akuzave përmban jo pak, por 40 mijë faqe”.
Të pranosh të bashkudhëtosh me një deklaratë të tillë, kur komprometohet plotësisht raporti në fjalë dhe ta quash atë të ligjshëm, duke parë ditën për diell, se nuk je tjetër veçse një koalicion bashkëpunëtorësh të politikës dhe prokurorisë serbe, duket si një lojë, që vërtet të krijon një shije të hidhur. Prej këtej lind pyetja: vërtet Këshilli i Evropës kur i ka ngarkuar detyrën Dick Martyt për t’i gjetur krimet e bëra nga UÇK-ja, a e ka ditur se po bënte një lojë absurde komprometuese, apo vërtet e ka ditur se do të jetë diçka e thjeshtë që do të sqarojë disa paqartësi? Këtë përgjigje mund ta japin vetëm parlamentarët evropianë, por duket sikur diçka e kurdisur, që është ditur do të sillte një gjellë helmuese për të gjithë shqiptarët dhe me shije të veçantë për Serbinë dhe kriminelët e saj që kanë vepruar mbi shqiptarët me të gjitha torturat dhe masakrimet mesjetare. (Vijon)