Raporti i FMN-së për Evropën, Ismaili: Sistemi financiar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm
Departamenti për Evropën i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), ka prezantuar në Prishtinë, raportin mbi perspektivën ekonomike rajonale të Evropës (REO).
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë mbi 60 përfaqësues nga institucione dhe organizata të ndryshme, duke përfshirë sektorin publik, atë akademik, sektorin financiar dhe organizata ndërkombëtare.
Prezantimi ka ofruar një pikëpamje të zhvillimeve të fundit ekonomike dhe perspektivës së Evropës duke diskutuar se si zgjerimi i mëtejmë drejt BE-së mund të mbështes më tej integrimin dhe përshpejtojë përafrimin e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka theksuar se sistemi financiar i Kosovës mbetet i qëndrueshëm, me likuiditet të lartë dhe i mirë kapitalizuar. Ai ka vënë në pah angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së për reforma dhe harmonizimin e kornizës ligjore me standardet e BE-së, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. “Duke ruajtur një sektor bankar të rregulluar mirë dhe duke monitoruar nga afër treguesit kryesorë financiar dhe makroekonomikë, ne mund të përballojmë pasiguritë dhe të punojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Reformat tona synojnë forcimin e sektorit bankar dhe integrimin e tij drejt BE-së”, ka thënë Ismaili.