Raporti i ‘Freedom House’, Meta: Shqipëria po rrëshqet drejt një junte me ‘grusht të hekurt’
Presidenti Ilir Meta i ka bërë një koment të ashpër raportit të fundit të organizatës “Freedom House” në pjesën e referuar Shqipërisë.
Me tone të forta, Meta në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se “konkluzionet e këtij organizmi konfirmojnë qartë se vendi po rrëshqet me shpejtësi drejt një junte me ‘grusht të hekurt’”.
“Konkluzionet e Organizatës ‘Freedom House’ për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë Covid-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshqet me shpejtësi drejt një junte me ‘grusht të hekurt’, ku siç thuhet në raport: ‘sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik’. Alarmuese janë gjithashtu të dhënat e raportit se ‘krahu ekzekutiv’ që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë. Policisë iu dhanë më shumë kompetenca, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha dhe njerëzit janë hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk ka ndodhur më parë”.
“Paketa antishpifje megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar dhe ka përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparenca qeveritare. Shqiptarët, të cilët kanë njohur izolimin dhe shtypjen e të drejtave njerëzore si askush tjetër, po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut, as familje dhe as atdhe”, ka shkruar Meta.