Raporti i KE-së: Serbia nuk ka përparuar në fushat kyçe
Komisioni Evropian ua ka dorëzuar shteteve anëtare raportin për përparimin e Serbisë në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky është një dokument i brendshëm, i cili shërben për shkëmbim të mendimeve midis vendeve anëtare.
“Radio Evropa e Lirë” e ka parë këtë dokument, i cili konstaton se mungojnë rezultate të prekshme në fushat kyçe, si: reforma gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe liria e medies.
Ky raport po ashtu vë në dukje se zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Hetimin dhe Prokurimin e Krimeve të Luftës “është shumë i ngadalshëm”.
Raporti ka gjetur se Serbia ka bërë disa përparime në fushat, si: reforma institucionale, të drejtat e pakicave kombëtare, shpëlarja e parave dhe çështja e azilit.
Përparimi në kapitujt 23 dhe 24 si dhe qasja konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, janë vendimtare për Serbinë, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së të autorizojnë hapjen e kapitujve të rinj të negociatave.