Raporti i OKB: Nëse ngrohja kalon 1.5 gradë, rreziqe të pashmangshme

08 tetor 2018 | 11:46

Shkencëtarët më të shquar të botës për çështjet e klimës kanë paralajmëruar se ka mbetur vetëm një afat i shkurtër kohe, ndoshta pak më shumë se një dhjetëvjeçar, në mënyrë që ngrohja globale të mos e kalojë limitin prej 1.5 gradë Celcius, përtej të cilit, çdo rritje me gjysmë grade do të përkeqësonte ndjeshëm rreziqet për thatësira, përmbytje, të nxehtin ekstrem dhe varfërinë për qindra milionë njerëz.

 Autorët e një raporti historik të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) të Kombeve të Bashkuara, të publikuar këtë të hënë, thonë se ndryshime urgjente dhe të paprecedenta janë të nevojshme për të arritur këtë objektiv, të cilin ata e konsiderojnë të përballueshëm dhe realizueshëm, edhe pse shtrihet në limitin më ambicioz të angazhimit të dhënë në marrëveshjen e Parisit për klimën, për të mbajtur rritjen e temperaturave mes 1.5 gradë dhe 2 gradë Celcius.

 Diferenca prej gjysmëgradi do të parandalonte gjithashtu çrrënjosjen e plotë të koraleve dhe do të lehtësonte presionin në Arktik, sipas studimit të publikuar pas miratimit në një seancë plenare të 195 shteteve në Incheon të Koresë së Jugut, që pa delegatët të përqafoheshin me njëri-tjetrin, e disa prej tyre edhe shpërthyen në lot.

“Është një limit në kohë që na thotë neve, si qenie të gjalla, se ky është momenti për të vepruar dhe se ne duhet të veprojmë tani”, ka deklaruar Debra Roberts, bashkëkryesuese e grupit të punës mbi impaktin e ngrohjes globale. “Kjo është kambana më e madhe e alarmit nga komuniteti shkencor, ndaj shpresoj që të mobilizojë njerëzit dhe të godasë gjendjen e vetëkënaqësisë”, ka shtuar ai.

 Ligjvënësit e autorizuan raportin që prej bisedimeve për klimën në Paris në vitin 2016, por prej atëherë e deri më sot, hendeku mes shkencës dhe politikës vetëm sa është thelluar. Donald Trump ka premtuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara, – burimi më i madh i emetimeve të karbonit në botë, – nga marrëveshja e Parisit. Madje edhe në Brazil, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ka rezultuar komod kandidati Jair Bolsonaro, i cili është zotuar të bëjë të njëjtën gjë si shefi i Shtëpisë së Bardhë, e për më shumë të hapë pyjet tropikale të Amazonës për agrobiznesin./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse nuk është ende në formë, duke u mundur…