Raporti i policisë: Sulmi në Gllogjan dyshohet se u krye me kallash, i dyshuari gjendet në arrati
Policia e Kosovës ka dal me raport për sulmin makabër që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një tjetër.
Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.
I dyshuari për rastin gjendet në arrati.
Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash. “Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.
Për krimin makabër që tronditi gjithë vendin është deklaruar për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmetaj.
Ai ka thënë se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit.
“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, është shprehur Mehmeti.
Mehmeti tha se janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin.
Ai tha se janë duke punuar në dy ose tri drejtime, ku sipas tij, i kanë dyshimet, por që është herët të flitet se a kanë ose jo person/a të dyshimtë.
“Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”, ka thënë ai.
Më tej, sa i përket asaj se Gllogjani duhet të hyj në ‘shtet-rrethim’, Mehmeti tha se aktualisht në vendin e ngjarjes e kanë edhe njësinë e qenëve, por që sipas tij, në mot me shi ata nuk mund të nuhasin ose të çojnë drejt ndonjë piste.
“Akutalisht kemi njësi të mjaftueshme, por në situata të tilla si kjo me shi, qentë nuk arrijnë ta nuhasin erën e armës apo diçka tjetër”, ka thënë ai.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.
Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.
Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Ai ka thënë se në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.
Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.
Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.
“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, shtoi ai.
Megjithkëto ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.
Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.