Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën vlerëson arritjet në Ministrinë e Industrisë
Republika e Kosovës sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për periudhën qershor 2022 – qershor 2023, ka bërë progres të dukshëm, në veçanti duke plotësuar kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e po ashtu me rritjen e performancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA-së për vitin 2022, duke e quajtur përmirësim të fuqishëm, si dhe në përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut.
Nëpërmjet kapitujve të Raportit të Progresit përmendet puna e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Te kapitulli i lëvizjes së lirë të mallrave, vlerësohet miratimi i Ligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve dhe Ligji për Mbikëqyrjen e Tregut në përputhje me kornizën ligjore të BE-së, miratimi i Ligjit për Inspektime që ka rritur përgjegjësinë e Inspektoratit dhe ka unifikuar rregullat për produktet jo-ushqimore.
Ndërkaq të fillimi i zbatimit të Programit për Zvogëlim të Barrierave vlerësohet miratimi i legjislacionit në përputhje me EU acquis, ku në veçanti përmenden aktet normative për pajisjet me presion, pajisjet me gaz, pajisjet e mbrojtes dhe produktet e ndërtimit.
Te licencimi i 9 laboratorëve testues dhe 9 trupave inspektues theksohet realizimi i 2,830 inspektimeve për siguri të produkteve, shqiptimi i 311 gjobave, procedimi i 195 lëndëve dhe konfiskimi i 5,705 produkteve të dëmshme.
Te liria e lëvizjes së shërbimeve është vlerësuar puna në zbatimin e planit pesë vjeçar të direktivës evropiane të shërbimeve dhe formimi i grupit punues ndër-ministror me qëllim të monitorimit të zbatimit.
Te kapitulli i së drejtës së kompanive është vlerësuar miratimi i dy akteve nënligjore si fillim i zvogëlimit të dallimit në harmonizim përmes udhëzimit për regjistrim të bizneseve dhe atij për regjistrimin e zyrave të kompanive të huaja dhe miratimi i Kodit për Qeverisje Korporative në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe parimet e OECD-së për qeverisje korporative.
Në hartim e sipër Ligji i ri për Shoqëritë Tregtare që synon harmonizim të mëtejmë me legjislacionin e BE-së, duke theksuar faktin se do të trajtojë çështjet si kapitalin fillestar të bizneseve, të drejtat e aksionarëve, aspektet e publikimit të informatave të bizneseve dhe degëve të tyre.
Te kapitulli i pronësisë intelektuale/pronësia industriale është vlerësuar miratimi i 5 Ligjeve dhe 7 Udhëzimeve Administrative si dhe veprimet e ndërmarra nga Inspektorati në zbatim të legjislacionit të kësaj fushe.
Sa i përket kapitullit për politikat sektoriale, Industrinë dhe NVM-të, vlerësohet qartë hartimi i Strategjisë ambicioze për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve, përgatitja e analizave të strukturuara të sektorëve industrial, përmirësimi i performancës së KIESA-së për vitin 2022, duke përmendur termin përmirësim i fuqishëm/theksuar.
Gjithashtu në raport është vlerësuar organizimi i një numri të madh të aktiviteteve që kanë promovuar bizneset dhe organizimi i panaireve të shumta të bizneseve.
Po ashtu vlerësime ka marrë edhe rritja e investimeve të huaja për vitin 2022, me 43.6% për periudhën janar – shtator 2022, përfshirja e Kosovës në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët”, zgjerimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe rritja e portfolios së kredive për NVM-të, miratimi i Ligjit për Parqet Industriale dhe Teknologjike, miratimi i Ligjit për Investime të Qëndrueshme.
Në raport theksohet se sa i përket çështjeve tregtare Kosova ka bërë progres në zbatimin e planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal.
Po ashtu, vlerësohet nisja zyrtare e negociatave me shtetet e EFTA-së për tregtinë e lirë dhe mbajtja e dy raundeve të negociatave, me përparim të mirë në të gjitha fushat, harmonizimi i Ligjit për Mallra Strategjike me legjislacionin e BE-së dhe harmonizimi i listës së mallrave me përdorim të dyfishtë sipas Rregullores së BE-së dhe listave të BE-së, kjo e fundit në baza vjetore.