Raporti i Progresit: Kosova pritet ta fillojë procesin për themelimin e Asociacionit, bazuar në propozimin evropian

30 tetor 2024 | 15:45

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2024 ka kërkuar nga Prishtina e Beogradi që të zbatojnë detyrimet nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit.

Në këtë raport është thënë se Kosova pritet të fillojë procesin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin evropian të prezantuar më 21 tetor 2023.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia pritet të zbatojnë detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kosova pritet të fillojë procesin që çon në themelimin e Asociacionit bazuar në propozimin evropian të paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Serbia pritet të fillojë të përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja paralelisht duke iniciuar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës”, është thënë në Raportin e Progresit.

Më tutje, sa i përket Asociacionit, Raporti i KE-së ka theksuar: “Ende nuk ka pasur përparim të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjes së gushtit 2015, e cila përcaktoi parimet për krijimin e Asociacionit. Ndërsa BE-ja mirëpriti prezantimin e një draft-statuti të parë të Asociacionit në Dialogun e Nivelit të Lartë në maj 2023 nga Ekipi Menaxhues, drafti nuk ishte në përputhje me Marrëveshjet përkatëse të Dialogut. Prandaj, një propozim evropian për themelimin e Asociacion në Kosovë iu paraqit palëve më 21 tetor 2023. Ky propozim bazohet në standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe plotësisht në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës. Kosovës dhe Serbisë tani i kërkohet që të angazhohen në mënyrë konstruktive në krijimin e Asociacionit pa vonesa të mëtejshme. Ky detyrim është pjesë e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, në të cilën Palët pritet të avancojnë, siç kujtohet nga Këshilli Evropian në tetor 2023. Çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të adresohet në të njëjtin kontekst dhe jo përmes masave të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian publikoi të mërkurën raportet vjetore të progresit për…