![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/11/zkm-4.jpg)
Raporti i Progresit për Kosovën njeh përparim të caktuar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i, Besnik Bislimi, kanë pranuar dje Raportin e Progresit për Kosovën nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Pas dorëzimit të raportit te Konjufca, ambasadori Szunyog ka theksuar se dokumenti paraqet një pasqyrë të zhvillimeve gjatë periudhës raportuese dhe identifikon sfidat për të ardhmen.
Pasi falënderoi ambasadorin Szunyog për punën në përpilimin e raportit dhe angazhimin e BE-së në Kosovë, kryetari Glauk Konjufca shprehu angazhimin për të punuar në drejtim të integrimeve evropiane, si rrugë e qartë për Kosovën, shkruan “Epoka e re”.
Konjufca ka thënë se raporti do të jetë një dokument orientues për punën e Kuvendit, përderisa theksoi përkushtimin institucional për arritjen e objektivave të përcaktuara.
Pasi pranoi Raportin e Progresit për Kosovën, Bislimi dhe Szunyog kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se ky është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, e në të njëjtën kohë, raporti e adreson për herë të parë vendimin final të BE-së që qytetarët e republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga 1 janari i vitit 2024.
“Raporti i vendit mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Gjatë kësaj periudhe raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike si dhe zbatim të masave e progres në ato ekonomike si dhe standardet e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023-27”, ka thënë ai.
Duke theksuar të arriturat në reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresin ekonomik dhe social, liberalizimin e vizave dhe përkushtimin në bashkëpunimin rajonal, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës.
“Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë, kemi shpreh interesimin dhe kemi dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. E shfrytëzoj edhe këtë rast, që ta ftoj BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit të bëjë vlerësimin tonë për statusin e kandidatit”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet evropiane.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ky raport njeh se ka një progres të caktuar duke përfshirë themelimin e kornizës ligjore për zgjedhjet e parakohshme dhe disa çështje që lidhen me shtensionimin në objektet komunale.
“Raporti thekson se duhet të shohim hapa të tjerë. Shpresojmë që hapat të merren sa më shpejt dhe masat të hiqen sa më shpejt që Kosova të gëzojë potencialin, jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga plani i rritjes”, ka thënë ai, duke iu referuar planit për rritje ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të miratuar më 8 nëntor. Ky plan është në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Szunyog përsëriti qëndrimin e BE-së se e ardhmja e Kosovës është në bllokun evropian, duke theksuar se këto nuk janë deklarata boshe.