Raporti më i fundit i Covid-19 në botë
Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga koronavirusi në tërë botën ka shkuar në 195,920 deri të shtunën në mëngjes.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta zënë vendin e parë me mbi 52,200 të vdekur. Pas tyre vijnë Italia me 25,969 viktima, Spanja me 22,524 dhe Franca me 22,245 të vdekur. Mbretëria e Bashkuar është në vendin e pestë me 19,506 viktima, shkruan Express.
Sa i përket numrit të të infektuarve, Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në vendin e parë edhe në këtë aspekt me mbi 890 mijë persona të prekur. Më pas vijnë Spanja me rreth 219 mijë të infektuar, Italia me 192 mijë, Gjermania me 154 mijë dhe Britania e Madhe me mbi 144 mijë të prekur.
Në anën tjetër, më shumë se 781 mijë njerëz, që më parë ishin infektuar me Covid-19, tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet anembanë botës. Më së shumti të shëruar deri më tani janë regjistruar në Gjermani – 106,800. Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e dytë me mbi 96 mijë të shëruar, kurse Spanja është e treta me mbi 92 mijë.
Disa shtete evropiane tashmë kanë filluar t’i largojnë gradualisht masat kufizuese me qëllim të riaktivizimit të ekonomisë. Këto vendime erdhën pas rënies së numrit të rasteve të reja të virusit në javët e fundit.