Raporti përfundimtar i DnV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit: Ishin në përputhje me standardet demokratike

07 prill 2021 | 12:48

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV)  ka vlerësuar se zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, megjithatë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votimi i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve.

Këtu është bërë me dije të mërkurën gjatë prezantimit  të raportit përfundimtar të zgjedhjeve nga DnV-ja. Ky raport përfshin raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve, atë për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe raportin për monitorimit e medieve.

Eugen Cakolli nga DnV-ja, ka thënë se dita e zgjedhjeve është organizuar e qetë dhe pa ndonjë incident serioz që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se edhe në këto zgjedhje janë vërejtur problematika të ngjashme sikurse në zgjedhjet e mëparshme, votimi me asistencë i cili është evidentuar në shkallë mjaftë të lartë, vështirësi te votuesve për të gjetur emrin nëpër listat e votuesve, si dhe disa lloje të votimit të parregullt.

Sa i përket respektimit të masave kundër përhapjes së pandemisë, Cakolli ka thënë se dita e zgjedhjeve është shoqëruar me një respektim jo të kënaqshëm të këtyre masave si nga ana e komisionerëve dhe qytetarët.

“DnV vlerëson që zgjedhjet e mbajtura me 14 shkurt janë zgjedhje që janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Sidoqoftë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votim i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve, si dhe një dalje të pazakontë të votuesve e cila ka arritur deri në 85 për qind që është dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket pjesëmarrjes qytetare vlen të përmendet që me 48.78 për qind dalja në zgjedhje e votuesve në këto zgjedhje është më e larta në historinë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa vlerë të shtuar procesit i kanë dhënë edhe vet subjektet politike me pranimin e rezultateve të cilat janë shpallur”,  ka thënë ai.

Cakolli ka theksuar se procesi i numërimit të votave, e në veçanti atyre të kandidatëve të subjekteve politike vazhdon të mbetet një prej problematikave kryesore të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Ai ka thënë se implikimi i personave të dyshuar në vepra penale të falsifikimit dhe të manipulimit të rezultateve zgjedhore që është dëshmuar edhe përmes publikimit të një audio dhe video incizimi e ka zbehur ndjeshëm kredibilitetin e këtij procesi.

Puna në QNR-së, sipas Cakollit ka qenë përgjithësisht e rregullt, e hapur dhe transparente për publikun, por që rinumërimi i 700 kutive që përbën rreth 30 për qind të numrit të përgjithshëm, sipas tij, shpërfaq edhe një herë politizimin e thellë dhe mungesën e integritetit në mesin e disa komisionerëve dhe stafit të QNR-së.

Punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, DnV-ja e ka vlerësuar si transparente, por që puna e këtij institucioni është karakterizuar me ndërhyre nga akterë të jashtëm, ku ndër të tjera përmendet atë kohë ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani.

“Puna e KQZ-së ka qenë transparente, por ajo çfarë është atipike për këtë proces zgjedhor është polarizimi dhe përplasjet e skajshme që kanë karakterizuar në vazhdimësi punën e KQZ-së, në veçanti në mes anëtarëve të KQZ-së nga radhët e LV-së dhe kryetares së KQZ-së. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së në këto zgjedhje janë karakterizuar nga ndërhyrje të cilat kanë ardhur nga akterë të jashtëm, në veçanti nga ushtruesja e detyrës asokohe të presidentit znj.Vjosa Osmani, e cila përmes deklarimeve të saj publike ka cenuar në një formë integritetin dhe pavarësinë e punës së KQZ-së”, ka deklaruar Cakolli.

Ai ka theksuar se kryetarja e KQZ-së si asnjëherë më parë ka qenë target i sulmeve të shumta si nga radhët e subjekteve politike ashtu edhe nga qytetarët.

Përkundër kohës së shkurtër, sipas Cakollit KQZ-ja ka arritur të përmbyllë të gjitha operacionet zgjedhore, por që theksohet se votimi jashtë vendi mbetet një prej hallkave më të ndjeshme të procesit zgjedhor.

Në raport flitet edhe për punën e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme gjatë këtyre zgjedhjeve, ku Cakolli ka thënë se të njëjtat kanë vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme kanë trajtuar lëndët të cilat u janë adresuar atyre.

PZAP-i dhe Gjykata Supreme, ka thënë Cakolli kanë anuluar votat e subjekteve politike të komuniteteve të fituara në zonat me shumicë serbe, ku nuk ka pasur përqendrim demografik të komuniteteve në fjalë. Me këtë veprim, ai ka deklaruar se është garantuar përfaqësimi i drejtë i vullnetit të komuniteteve duke u bazuar si në normat kushtetuese vendore ashtu edhe në praktikat e mira ndërkombëtare.

Ndërsa Visar Xhambazi nga DnV-ja  ka prezantuar raportin e monitorimit të fushatës, ku ka thënë se kanë monitoruar 179 aktivitete të subjekteve politike. Ai ka deklaruar se subjektet politike kanë pasur më së shumti aktivitete të organizuara në Komunën e Pejës dhe të Prizrenit.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar më së shumti aktivitete zgjedhore apo 58, LDK me 44 aktivitete dhe PDK me 35, AAK me 18 aktivitete, ndërsa partitë tjera kanë më pak se 18 aktivitete të organizuara.

Pjesë e monitorimit ka qenë edhe respektimi i masave anti-COVID, për çka tha se ato nuk janë respektuar fare.

“Në ambiente të mbyllura numri maksimal ka qenë 30, ndërsa në ambiente të hapura numri maksimal i lejuar ka qenë 50. Vërehet një diskrepancë në raportim për faktin se në ambientet e mbyllura pothuajse 78 aktivitete nga 179 sosh nuk kanë respektuar asnjë masë anti-COVID apo të menaxhimit të pandemisë. Ndërsa, në respektimin e masave në ambiente të hapura ky numër është tejet më i vogël apo vetëm 8 raste të cilat nuk kanë respektuar masat”,  është shprehur ai.

Xhambazi është shprehur se pjesëmarrja e grave në fushatë zgjedhore vazhdon të mbetet e ulët. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së përgjithshme të grave, ai ka thënë se ka vetëm 22 për qind të grave në raport me burrat, kurse sa i përket folësve gratë kanë qenë folëse vetëm në 27 për qind të rasteve në raport me burrat.

Temat më të përmendura në fushatë zgjedhore, ai tha se kanë qenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi dhe arsimi. Ndërsa, tha se gjatë fushatës zgjedhore në 23 për qind të rasteve ka pasur gjuhë të urrejtjes, ku rivalët politik janë quajtur zhvatës dhe tradhtar.

Ndërsa, raportin e monitorimit të medieve e ka prezantuar Mexhide Demolli-Nimani nga DnV, e cila ka thënë se gjatë monitorimit tek televizionet kanë dominuar subjektet e mëdha politike që kanë pasur më shumë hapësirë qoftë në kronikat zgjedhore apo edhe në debatet televizive.

“Nga monitorimi tregon se më së shumti mbulueshmëri tek televizionet në kronika zgjedhore ka pasur LDK-ja me 238 minuta, e ndjekur nga AAK-ja me 228 minuta, LV-ja 223 minuta, Nisma me 211 minuta, PDK-ja me 209 minuta, Lista Serbe me 57 minuta dhe subjektet e tjera të minoriteteve po edhe partive të vogla shqiptare janë prezantuar në kronika zgjedhore me 49 minuta… ‘Livestream’ nga portalet kemi monitoruar se sa janë shfrytëzuar faqet e ‘Facebook’-ut të portaleve të cilat kanë një numër të madh të ndjekësve të tyre nga partitë politike në këtë rast që janë shfrytëzuar edhe këto faqe përveç faqeve të tyre zyrtare për t’i transmetuar. Nga monitorimi direkt përmes ‘Facebook’-ut prin AAK-ja me 1 mijë e 491 minuta nga 5 portale, duke u pasuar nga LDK-ja me 1 mijë e 393 minuta në 6 portale, Nisma me 1 mijë e 141 në 6 portale, PDK-ja me 1 mijë e 134 minuta në 6 portale, ndërsa LV-ja ka vetëm 433 minuta në vetëm 4 portale”, ka thënë ajo.

Më tutje, Eugen Cakolli, ka prezantuar rekomandimet nga ky raport, e që sipas tij kanë si qëllim parësor inicimin e një procesi të reformës zgjedhore.

“DnV-ja vlerëson që reforma zgjedhore si proces duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe të spektrit politik në vend, mirëpo që i njëjti duhet të shoqërohet nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe i transparencës duke evituar çfarëdo iniciative apo mundësie që do të cenonte këto dy parime, meqenëse do të përkthehej në një ndryshim të sistemit zgjedhor apo elementeve të tij pa pasur një pajtueshmëri më të gjerë lidhur me këtë proces. DnV-ja vlerëson se ndër elementet kryesore të sistemit zgjedhor që duhet të jenë subjekt i reformimit zgjedhor janë votimi preferencial deri në 5 kandidatë i cili duhet të reduktohet, pragu zgjedhor përkatësisht aplikimi i tij për kategori të ndryshme në këtë rast për koalicione, subjektet politike dhe kandidatët e pavarur i cili duhet të rikategorizohet. Po ashtu, duhet të rishqyrtohet edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit të vendit me qëllim të evitimit të krizave të ndryshme politike”, ka thënë ai.

Në kuadër të elementeve kryesore të sistemit zgjedhor, Cakolli ka thënë se duhet të konsiderohet ndarja e Kosovës në zona zgjedhore në mënyrë që të garantohet një përfaqësim më i drejtë i qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën një nga tre persona të infektuar me koronavirus…