Raportimet për tërheqjen e trupave amerikane në Kosovë, “Octopus” e quan përgënjeshtrim i një frike të inskenuar

26 shkurt 2025 | 13:43

Zhvillimet e fundit gjeopolitike, veçanërisht sa i përket luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike, kanë nxitur diskutime në rajone të ndryshme. Një artikull i fundit i publikuar nga gazeta gjermane “Bild”, me titullin “Evropa në Frikë. Agjencitë e Inteligjencës druhen nga tërheqja e trupave Amerikane”, ka ndezur përsëri narrativat armiqësore pro-ruse, veçanërisht pas negociatave të nisura në Riad.

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” në një analizë të publikuar me autorë Arben Fetoshi dhe Gurakuq Kuçi, ka theksuar portretizimi i ridislokimit të burimeve ushtarake amerikane si një “tërheqje” është një raport i njëanshëm, i synuar për të përhapur frikë dhe shqetësim në publik.

“Pavarësisht nëse motivi i medias është i drejtuar nga një agjendë politike apo një prirje ndaj sensacionalizmit, interpretimi i paralajmërimit të presidentit Trump se ai do të ulte numrin e trupave me rreth 20,000 – për shkak të barrës financiare që nuk duhet të përballohet vetëm nga taksapaguesit amerikanë – duke i nxitur vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar. Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, pas një takimi në Varshavë më 19 shkurt me Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, mohoi kategorikisht thashethemet për një reduktim të trupave amerikane në këtë pjesë të Evropës. Deklarata e presidentit Duda bie drejtpërdrejt ndesh me raportin e ‘Bild’, i cili citonte një zyrtar të lartë të sigurisë në Evropën Lindore që pretendonte se trupat amerikane po tërhiqeshin bazuar në kërkesën e Rusisë të vitit 2021 që NATO të largohej nga Evropa Lindore”, thuhet në këtë analizë.

Theksohet se për më tepër, nga takimi Trump-Macron në Shtëpinë e Bardhë nuk dolën asnjë tregues për një tërheqje të trupave amerikane nga kontinenti evropian. “Diskutimet e samitit u përqendruan në arritjen e një armëpushimi në Ukrainë, mundësinë e vendosjes së forcave paqeruajtëse evropiane dhe marrëveshjet ekonomike lidhur me mineralet kritike të Ukrainës. Të dy liderët theksuan nevojën që Evropa të forcojë kontributet e saj në mbrojtje, ndërsa presidenti Trump deklaroi se edhe Putini pajtohet me vendosjen e trupave paqeruajtëse në Ukrainë. Aktualisht, ShBA mban rreth 65,000 trupa të përhershme në Evropë, me forca rotative shtesë që e çojnë totalin në rreth 100,000 ushtarë”, thuhet në analizë.

Stabiliteti rajonal dhe interesat gjeostrategjike

“Octopus” në këtë analizë thekson se artikulli i “Bild” u citua nga disa media ndërkombëtare, por pati jehonën më të madhe në Ballkanin Perëndimor për shkak të implikimeve të tij për Kosovën.

“Mediat serbe e vendosën të ashtuquajturën ‘tërheqje’ të trupave amerikane nga Kosova në qendër të raportimeve të tyre, pavarësisht se këto spekulime u adresuan menjëherë nga KFOR-i. Në një deklaratë zyrtare, KFOR-i siguroi se zyrtarët amerikanë e kishin bërë të qartë përkushtimin e tyre ndaj Aleancës Veri-Atlantike. Megjithatë, kjo narrativë e mediave serbe është rikthyer vazhdimisht sa herë që NATO rishikon situatën e sigurisë në Kosovë. Që nga vendosja e mbi 50,000 trupave të NATO-s në vitin 1999, niveli i forcave është reduktuar gradualisht bazuar në vlerësimet e sigurisë, duke arritur aktualisht në 4,686 trupa nga 29 vende. Prania e trupave amerikane brenda KFOR-it ka qenë një faktor vendimtar në ruajtjen e paqes në Kosovë, siç u dëshmua nga roli i tyre në zmbrapsjen e sulmeve të huliganëve serbë në vitin 2023 dhe inkursionit të armatosur në veri të Kosovës në shtator 2024, i cili e detyroi NATO-n të rrisë numrin e trupave. Një tërheqje e mundshme e ShBA-së do të krijonte një vakuum të pushtetit që ekstremistët serbë mund ta interpretonin si një mundësi për të shtyrë përpara ambiciet e tyre territoriale. Në të njëjtën kohë, Serbia, për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë, mund ta shihte këtë ndryshim si një shans për të zgjeruar ndikimin e saj, duke rritur rrezikun e destabilizimit dhe mundësisë së një konflikti në rajon”, thuhet në analizë.

Tutje theksohet se nga ana tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e njohur dhe e mbështetur nga ShBA si Ushtria e Kosovës, është në proces transformimi në një forcë të dëshmuar të përkushtuar ndaj vlerave transatlantike, përmes pjesëmarrjes në misione të përbashkëta paqeruajtëse.

“Prania ushtarake amerikane në Kosovë përbëhet nga dy kategori: trupa brenda KFOR-it, që operojnë nën strukturën komanduese të NATO-s dhe personel që vepron jashtë kësaj strukture komanduese. Kampi Bondsteel, baza më e madhe amerikane në Ballkan, jo vetëm që strehon trupa të KFOR-it, por gjithashtu përfshin personel të inteligjencës, logjistikës dhe bashkëpunimit të sigurisë, të cilët punojnë ngushtë me institucionet e Kosovës. Roli i ShBA-së në transformimin e FSK-së – i dëshmuar nga aproovimi i blerjes së raketave Javelin dhe, më së fundmi, helikopterëve Black Hawk – nënvizon më tej rëndësinë strategjike të Kosovës. Në këtë kontekst, çdo tërheqje e mundshme e forcave amerikane nga Kosova do të krijonte një vakuum të pushtetit që mund të shfrytëzohej nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë. Duke pasur parasysh mbështetjen e Rusisë për Serbinë, një tërheqje e ShBA-së do të zhvendoste ekuilibrin rajonal të pushtetit në favor të interesave ruse në Ballkan”, thuhet në analizën e “Octopus”-it.

Për më tepër, thuhet se një veprim i tillë do të minonte besueshmërinë e ShBA-së mes aleatëve evropianë, duke pasur parasysh rolin udhëheqës të Uashingtonit brenda NATO-s. “Siç u pa në rastin e Afganistanit, një tërheqje e parakohshme e forcave nga zonat e konfliktit shpesh rezulton në rishfaqjen e dhunës dhe destabilizimin rajonal. Rëndësia strategjike e Kosovës për ShBA-në vërehet më tej nga ndërtimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e cila shtrihet në gati pesë hektarë – duke e bërë atë ambasadën më të madhe amerikane në Ballkan. Prandaj, shqetësimet e ngritura nga artikulli i ‘Bild’ ilustrojnë se si informacioni i vjetruar mund të ripërdoret për të ndikuar në perceptimet e reja, në varësi të kontekstit politik. Qoftë qëllimisht apo jo, një informacion i tillë mund të shërbejë si një konstrukt strategjik i destinuar për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit shtetërorë”, përfundon analiza e “Octopus”-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi i është shtuar garës për yllin e Përfaqësueses…