Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Sulmet izraelite kanë vrarë edhe 32 persona në Rripin e Gazës, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).
Luftime janë raportuar nga veriu deri në jug të territorit, teksa bisedimet po vazhdojnë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.
Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë në Gazë, ka thënë të premten se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.
Po ashtu, mediet e Hamasit kanë raportuar për “më shumë se 70 sulme ajrore” në disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë në qytetin e Gazës në veri, në kampin e refugjatëve Nusirat në pjesën qendrore të territorit, dhe në Han Junis dhe Rafah në jug.
Ushtria izraelite ka thënë të premten se trupat po vazhdojnë operacionet në Rafah, afër kufirit me Egjiptit.
“Gjatë ditës së fundit, trupat kanë eliminuar një numër terroristësh gjatë luftimeve dhe sulmeve ajrore dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e terroristëve në rajon”, është thënë në deklaratën e ushtrisë.
Lufta në Gaza ka nisur pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, kur u vranë afër 1 200 persona dhe janë rrëmbyer 250 të tjerë. Ndërsa si pasojë e ofensivës izraelite, në Gaza deri më tani janë vrarë më shumë se 37 mijë persona. /REL