Raportohet për disa shpërthime në Kabul
Disa shpërthime janë dëgjuar në distriktin diplomatik të kryeqytetit afgan, Kabul më 21 gusht, mirëpo ende nuk është raportuar për ndonjë të plagosur, ka thënë policia.
Shpërthimet janë shkaktuar nga raketat e nisura prej zonës jashtë qytetit dhe disa prej tyre kanë rënë afër pallatit presidencial, rreth zonës së ambasadave dhe ndërtesave qeveritare, ka thënë një zyrtar i sigurisë në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Raketat janë hedhur në kohën kur presidenti afgan, Ashraf Ghani ishte duke folur në ceremoninë e shënimit të festës së Kurban Bajramit.
Dy ditë më parë, Ghani kishte bërë thirrje për armëpushim me talibanët nga 20 gushti deri në përfundim të tre muajve të ardhshëm, mirëpo kryengritësit talibanë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.
Duke dëgjuar shpërthimet, Ghani është cituar të ketë thënë: “Nëse ata mendojnë se sulmet me raketa do të rrëzojnë afganët, ata e kanë gabim”.
Policia ka thënë se raketa e parë është nisur afër presidencës, e dyta afër ndërtesave të NATO-s dhe ambasadës amerikane në Kabul, mirëpo askush nuk është plagosur.
Sipas zyrtarëve të paktën 12 raketa kanë shpërthyer në këtë zonë.
Forcat afganë kanë rrethuar një shtëpi, prej së cilës besohet se janë nisur raketat, një aeroplan ka bombarduar zonën dhe të paktën dy militantë janë vrarë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Tolo”. (Rel)