Raportohet për sulm terrorist në Turqi, disa të vrarë e të plagosur
Turqia ka njoftuar të mërkurën se një sulm vdekjeprurës u krye afër selisë qendrore të Industrive Turke të Aerohapësirës (TUSAS) afër Ankarasë, ndërsa mediat raportuan për një shpërthim të fortë në vendin e ngjarjes dhe shfaqën pamje të shkëmbimit të zjarrit atje.
“Një sulm terrorist u krye kundër objekteve të TUSAS-it në Kahramankazan, Ankara. Fatkeqësisht, kemi martirë dhe njerëz të lënduar”, ka shkruar në platformën “X” ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, raporton agjencia “Reuters”.
Shkaktari i shpërthimit dhe të shtënat pasuese mbeten të paqarta. Në disa raportime të mediave pretendohet se ka ndodhur një sulm vetëvrasës. Agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”,ka raportuar se shërbimet emergjente janë dërguar në vendin e ngjarjes.
Në pamje televizive është shfaqur një portë e dëmtuar dhe një përleshje në një parking.
TUSAS-i është njëra nga kompanitë më të rëndësishme të Turqisë në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit. Mes tjerash, ajo e prodhon aeroplanin e parë luftarak turk, KAAN.