Raportohet për tollovi në Merdarë, Ambasada e Gjermanisë: Do të dëshironim që kamionët me mallra të lëviznin më shpejt

21 tetor 2024 | 18:21

Disa javë pasi Kosova e hoqi pjesërisht ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, kolona prej kilometrash në anën serbe të pikës kufitare Merdare nuk është duke u zvogëluar.

Në kolonë presin disa ditë edhe transportuesit që janë vetëm transit nëpër Kosovë, ose transportojnë mallra që nuk kanë origjinë nga Serbia.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane në Kosovë tha se “do të dëshironte që mallrat të lëviznin më shpejt përmes pikës kufitare”, por theksoi se rikthimi i importit direkt nga Serbia në Kosovë është një “arritje e rëndësishme”.

“Para së gjithash, është e rëndësishme të pranohet se vendimi [për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia] është duke u zbatuar”, tha Ambasada gjermane, duke shtuar se duhet bërë më shumë punë për lëvizjen më të shpejtë të mallrave në kufi.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.

Në vendkalimet e tjera u paralajmërua se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.

Përndryshe, Kosova thekson se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, në mes të korrikut të vitit 2023, u mor për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.

Më 17 tetor, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, bëri përgjegjëse autoritetet e Kosovës për krijimin e kolonave të kamionëve në Merdare, duke thënë se ato po bëjnë gjithçka “për ta vështirësuar importin e mallrave serbe”.

Ai tha se “bëhen ekzaminime të gjata të panevojshme, vetëm për t’i nervozuar njerëzit”.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar këto pretendime, si dhe për të shpjeguar se përse importimi apo transiti në Merdare po zhvillohet me vështirësi.

Ngjashëm, nuk u përgjigj as Dogana e Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it, Oda Ekonomike e Serbisë tha se qarkullimi i lirë i mallrave, aktualisht, është i vështirë në terren dhe se heqja e pjesshme e ndalesës për importin e mallrave nga Serbia, ka pasur kundër-efekt – në vend të qarkullimit të lirë të mallrave, ka bllokadë në Merdare.

Kush është përgjegjës për kolonën prej disa kilometrash?

Aleksandar Radovanoviq, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal në Odën Ekonomike të Serbisë, konsideron se Dogana e Kosovës po punon ngadalë, me “urdhrin e autoriteteve të Kosovës”, për ta vështirësuar importin e mallrave nga Serbia.

Ai thekson se para ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, në Merdare kanë hyrë mesatarisht rreth 250 kamionë në ditë, ndërsa që nga heqja e ndalesës, më 7 tetor, në Kosovë kanë hyrë 30 deri në 40 kamionë.

Dogana e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë më 14 tetor se, mesatarisht brenda ditës, në Kosovë hyjnë tetë kamionë me mallra nga Serbia.

Mirëpo, më 18 dhe më 21 tetor, Dogana nuk iu përgjigj pyetjeve se përse kamionët që transportojnë lëndë të parë nga Serbia, duhet të kalojnë ekskluzivisht në vendkalimin në Merdare, siç i thanë REL-it disa transportues dhe Oda Ekonomike e Serbisë.

Dhjetë ditë pas ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, në korrik të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e ndryshoi vendimin e saj dhe lejoi vetëm importin e lëndëve të para nga ky vend.

Por, Sadri Selimi, i cili importon grurë nga Serbia në Kosovë, thotë se që nga 7 tetori, autoritetet kosovare lejojnë importin e lëndëve të para vetëm përmes Meradres dhe se edhe ato i nënshtrohen një kontrolli të detajuar – çfarë nuk ishte praktikë më herët.

lg.php.gifPër situatë të ngjashme flet edhe Radovanoviq:

“Lëndët e para janë shpërndarë normalisht gjatë gjithë kohës, kanë mundur të hyjnë në të gjitha vendkalimet dhe papritmas edhe kjo bëhet çështje sigurie”.

Radovanoviq vlerëson se nuk ka vullnet politik që qarkullimi i lirë i mallrave të ekzistojë realisht në terren.

Cila është zgjidhja?

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se autoritetet e Kosovës duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre në Merdare, në mënyrë që të zvogëlohet kolona e transportuesve që presin me ditë të tëra për të kaluar kufirin.

Ai, gjithashtu, beson se kontrolli i detajuar i sigurisë, mund të kryhet manualisht në vendkalimet e tjera, derisa të mbërrijnë skanerët.

Sipas tij, situata aktuale “nuk ka kuptim”.

Nëse nuk ndërmerret asgjë, thotë Shahini, transportuesit dhe kompanitë do të kenë humbje të madhe financiare, e cila do të shkaktojë rritje të çmimeve.

“Aty [në Merdare] ka mallra që prishen, ka mallra që transportohen në vende të tjera, kështu që ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt. Biznesmenët kanë humbje, për shkak të pritjes. Çdo ditë kushton dhe askush nuk përfiton”, thotë Shahini.

Radovanoviq, në anën tjetër, thotë se ka një interesim të madh të biznesmenëve kosovarë dhe serbë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, por se, aktualisht, po u dërgohet mesazhi se “një gjë e tillë nuk është e dëshirueshme”.

“Kur i mbani shoferët e kamionëve për disa ditë në kushte që nuk janë të denja për njeriun, asnjë transportues nuk do ta pranojë ofertën e një prodhuesi që dëshiron të dërgojë mallra në Kosovë”, thotë ai.

Produktet nga Serbia, prej vitesh, janë ndër më dominueset në tregun kosovar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova importoi mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ishte gati 199 milionë euro./rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një biznesmeni njohur rus është gjetur mbrëmë i vdekur në…