Raportohet se 63 pistoleta janë zhdukur nga stacioni policor në Nish të Serbisë
Deputetja e Popullit e Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) Jelena Millosheviq, ka pyetur ministren e Punëve të Brendshme (MPB) Bratislava Gashiq nëse janë të vërteta pretendimet se 63 pistoleta janë zhdukur nga stacioni policor në Nish.
“Opinioni, veçanërisht Nishi është shqetësuar nga lajmi se në ‘PI Pantelei’ mungonin 63 pistoleta, të cilat qytetarët i kanë dorëzuar gjatë operacionit të çarmatimit dhe pas tragjedive të paprecedentë që na ndodhën në maj. Dyshohet se pistoletat kanë përfunduar në tregun e zi, gjë që ka shqetësuar dhe më shumë qytetarët”, ka thënë Millosheviqi në një deklaratë me shkrim.
Millosheviqi e ka pyetur ministrin se çfarë hapash kishte ndërmarrë për gjetjen e armëve të zhdukura dhe kush ishte përgjegjës për gjendjen e policisë serbe.
Ajo ka kërkuar përgjigje edhe në pyetjen se cili është qëllimi i çarmatosjes së qytetarëve, nëse ato armë kthehen në tregun e zi me ndihmën e policisë.
“Pasojat e partizanizmit policor i ndjejnë dhe i vuajnë të gjithë qytetarët. Policia nuk mund të menaxhohet nga Stefanoviqët e ndryshëm, Vulinët, Gasiqët dhe në vend të policëve dhe inspektorëve me përvojë caktohen pasardhës të partisë. “Policia nuk mund të funksionojë pa drejtor me vite, sepse ministrat nuk donin profesionist, por ushtar partiak”, ka thënë Millosheviqi.
Ajo i ka thënë ministrit të ndalojë mbrojtjen e njerëzve që njollosin policinë serbe, si dhe t’u mundësojë policëve të nderuar që ta bëjnë punën e tyre pa presion.