Raportohet se ish-presidenti Clinton do ta vizitojë Shqipërinë më 4 korrik
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, pritet të vijë në Shqipëri, ku do të festojë në vendin tonë 4 Korrikun, ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo vizitë është komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka thënë se Clintoni vjen në Shqipëri si një hero kombëtar.
“Kurdo që të vijë në Shqipëri, ai vjen si një hero kombëtar në kuptimin e rolit të tij historik që ai ka luajtur në çlirimin e Kosovës. Ai është gdhendur në memorien e këtij kombi si një nga miqtë më të mëdhenj. Në emër të PD-së, unë i uroj mirëseardhjen”, ka thënë Berisha.
William Jefferson Clinton, ka lindur më 19 gusht 1946 dhe ka shërbyer si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1993 deri në vitin 2001. Gjatë kohës kur Clinton ishte në detyrë janë kryer edhe sulmet e NATO-s në Serbi të cilat i hapën rrugë pavarësisë së Kosovës.