Raportohet se një bandë ka djegur për së gjalli dy gazetarë në Haiti

07 janar 2022 | 10:35

Dy gazetarë haitianë raportohet se janë djegur për së gjalli nga një bandë në kryeqytetin e Haitit të enjten. Kështu i tha televizionit CNN një burim brenda forcave haitiane të sigurisë.

Burimi tha se banda “Ti Makak” i kreu vrasjet në lagjen Petion-Ville të kryeqytet Port-au-Prince. Sipas burimit, motivi dhe hollësitë e këtij sulmi mbeten të paqarta, duke shtuar se një tjetër gazetar ka arritur që të ikë.

Radio Ecoute FM konfirmoi se njëri nga gazetarët e saj, John Wesley Amady, është vrarë në këtë sulm përderisa ishte duke e dokumentuar mungesën e sigurisë në zonë, shkruan CNN.

Kjo radio i tha përmes një deklarate televizionit amerikan se Amady “është qëlluar në mënyrë të egër dhe është djegur për së gjalli nga banditët e armatosur”.

Radio Ecoute FM e ka ndërprerë punën deri në njoftimin e ardhshëm “si shenjë solidarizim me familjen e viktimës”, thuhet në deklaratë.

Haiti po përballet me përkeqësim të gjendjes së sigurisë e me dhunë ekstreme, sidomos në kryeqytet, ku bandat rivale luftojnë me njëra-tjetrën dhe me forcat e sigurisë për kontrollimin e rrugëve, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz që të shpërngulen nga shtëpitë e tyre në njërin nga shtetet më të varfra në të dy Amerikat.

Në korrik të vitit të kaluar, Presidenti i Hatitit, Jovenel Moise, u vra gjatë një sulmi në rezidencën e tij private, duke lënë boshllëk pushteti, që i thelloi trazirat e dhunën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtorinë për Menaxhimin e Investimeve Kapitale dhe Kontratave në Komunën…