Raportohet se ShBA-ja spiunoi Merkelin dhe zyrtarë të tjerë evropianë
Mediet daneze dhe evropiane kanë raportuar se nga viti 2012 deri më 2014, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së (NSA) ka spiunuar politikanët në Evropë, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Spiunimi është bërë me ndihmën e inteligjencës daneze.
Informacionet kanë dalë në bazë të një hetimi të brendshëm në Shërbimin e Inteligjencës Mbrojtëse Daneze, ka raportuar transmetuesi danez “DR” më 30 maj, duke cituar nëntë burime të paidentifikuara që kanë pasur qasje në hetim.
Për të kryer spiunimin amerikanët kishin përfituar nga një bashkëpunim vëzhgimi me njësinë e inteligjencës ushtarake të Danimarkës, raporton “DR”.
Sipas hetimit, NSA-ja ka përdorur kabllot daneze të informacionit për të spiunuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë dhe Gjermani, përfshirë kancelaren Merkel dhe ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Danimarka është një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara. Në territorin e saj gjendet stacionet kryesore për kabllot e internetit nënujore, për dhe nga, Gjermania, Norvegjia, Suedia, Holanda dhe Britania e Madhe.
Sipas mediumit danez, ministrja e Mbrojtjes, Trine Bramsen, e cila ka marrë postin në qershor të vitit 2019 është informuar për spiunimin në gusht të 2020-ës.
Ajo i ka thënë transmetuesit publik se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.
NSA-ja dhe Shërbimi Inteligjent i Mbrojtjes së Danimarkës nuk kanë pranuar të komentojnë për këtë çështje.
Kancelarja gjermane është njoftuar për pretendimet vetëm kur ajo është pyetur nga gazetarët, ka thënë një zëdhënës i saj. Ai nuk ka pranuar të komentojë më shumë.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Peter Hultqvist, i ka thënë transmetuesit suedez “SVT” se ai “kërkoi informacion të plotë”.
Ndërsa ministri norvegjez i Mbrojtjes Frank Bakke-Jensen, i ka thënë transmetuesit “NRK” se ai është duke i trajtuar me seriozitet akuzat.