Raportuesi për Kosovën: Parlamenti Evropian do ta votojë raportin e vizave sapo Komisioni ta japë sinjalin
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
“Vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi shënon një ditë të madhe për qytetarët e Kosovës. Përshëndetës fuqishëm arritjen e aktorëve politikë që t’i kalojnë përfundimisht mosmarrëveshjet e brendshme, për të vepruar në interesin më të mirë të vendit të tyre. Sot, vagoni, i cili po ecte drejt izolimit, është kthyer në binarë të duhur përsëri – drejt të ardhmes në BE!. Nëpërmjet këtij vendimi është ndërmarrë një hap shumë i rëndësishëm dhe i madh drejt liberalizimit të vizave, dhe lëvizja e lirë e popullit, një prej parimeve kryesore të BE’së, tani mund të bëhet realitet”, ka deklaruar raportuesi për Kosovën në PE.
Ai ka thënë se tani qytetarët e Kosovës janë të barabartë me shtetet fqinjët.
“Nëse vetëm para disa muajve dukej se ky hap do të jetë i vështirë për t’u arritur, tani është dëshmuar se zgjuarsia dhe përgjegjësia kanë mbizotëruar. Me kapërcimin e një prej pengesave kryesore, të gjithë sytë tani do të jenë nga BE’ja dhe institucionet e saj, për aprovimin e lëvizjes pa viza për Kosovën, siç kanë premtuar se do të bëjnë kur të përmbushen të gjitha kushtet. Parlamenti Evropian do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian që t’i paraqesë konkluzionet e tij, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe që të japë dritën e gjelbër për lëvizjen pa viza për Kosovën. Kosova është kthyer në rrugën drejt integrimit në BE, dhe unë pres që të shoh këtë lloj angazhimi edhe për arritjen e reformave të tjera të vështira, por shumë të rëndësishme. Siç e dimë, Kosova ende duhet të vazhdojë të tregojë rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka përfunduar ai.