Rapperswili nga Zvicra forcon bashkëpunimin me Skenderajn
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur në takim kryetarin e komunës Rapperswil-Jona të Zvicrës, Martin Stokling, i cili ka qenë i shoqëruar nga Hans-Jorg Goldener, menaxher i Kuvendit Komunal, Naim Zeqiri, këshilltar i kryetarit Stokling, Visar Rrecaj konsull në Konsullatën në Cyrih dhe Akenbut Iballi, kryetar i OJQ “ProKosova” në Zvicër.
Jashari ka njoftuar homologun e tij për vizitat e realizuara dhe qëllimin e këtij takimi në Skenderaj. “Një mirëseardhje miqësore dhe të ngrohtë për mikun tim, Martin Stokling, kryetar i komunës Rapperswil-Jona të Zvicrës. Gjatë vizitës në qytetin tonë, që nisi me homazhe te varri i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në Prekaz, për të dëgjuar nga afër historinë e luftës së Jasharëve. Kemi vizituar më pas fabrikat në komunën tonë, si: qumështoren ‘Drena’, ‘Vëllezërit Geci’, ‘Grunorin’, Shkollën Profesionale, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe “Muli Shoes”, për t’u njohur për së afërmi me kapacitetin e këtyre fabrikave, numrin e punëtorëve, linjat e prodhimit, shitjen, kushtet dhe gjithçka tjetër që lidhet me punën e tyre ”, ka thënë Jashari.
Ky ka qenë takimi i dytë, pas vizitës së Jasharit vitin e kaluar në komunën Rapperswill-Jona, dhe e gjithë kjo po bëhet me qëllim të realizimit të mundësisë së bashkëpunimit nëpërmjet projekteve konkrete për qytetarët e komunës së Skenderajt.
/Epoka e re/