Rashani: Ëndërroj me Kosovë kualifikimin në Evropian
Futbollisti Elbasan Rashani ka thënë se është i gatshëm në çdo çast ta ndihmojë ekipin e Përfaqësueses së Kosovës.
Edhe pse iu dha rasti më pak për të luajtur, sa herë që e kishte mundësinë, e ka dhënë kontributin e vet. Pa dyshim goli i tij në fitoren e “Dardanëve” ndaj Bullgarisë në udhëtim do të mbetet i paharrueshëm. 27-vjeçari tash synon që të arrijë suksese me “Verdhekaltrit” dhe nuk e fsheh ëndrrën e kualifikimit në “Euro 2020”.
“Me Kosovën i kam shënuar disa gola. Edhe pse nuk kam luajtur shumë, mendoj se e kam dhënë kontributin tim. E kam marrë një rol ‘xhokeri’ atje, por e kam pranuar këtë. Kjo nënkupton se në ata minuta që kam luajtur, kam dhënë kontribut”, ka thënë Rashani për mediat norvegjeze.
“Jam mjaft i lumtur që po mund të kontribuoj për vendin tim. Është një ndjenjë speciale të luash ndeshje ndërkombëtare. Shpresojmë që të rifillojmë sa më shpejt të luajmë me ekipin kombëtar. I kemi disa ndeshje përpara. Jemi vetëm dy lojë afër kualifikimit në evropian. Do të ishte momenti i ngritjes së karrierës sime”, ka shtuar Rashani, i cili aktualisht është pjesë e ekipit norvegjez, Odd. Ai nuk e di nëse do të largohet gjatë verës apo jo. Vedat Muriqi ia kishte propozuar Rashanin ekipit të tij, Fenerbahçe.