Rashica: Dua të bëhem një idhull për fëmijët e Kosovës

13 gusht 2018 | 12:06

Milot Rashica u transferua për 7.5 milionë euro nga Vittese Arnheim te Werder Bremeni. Në një intervistë për “Bild”, sulmuesi anësor flet për vendlindjen, të dashurën dhe fenë.

“Për mua ka qenë një hap i madh, kur para tre vjetësh erdha nga Kosova në Holandë. Nuk ka shumë lojtarë nga vendi im që luajnë në njërën nga top pesë ligat e botës. Për këtë të arritur ne duhet të jemi krenarë. Dua të bëhem një idhull për fëmijët e Kosovës”, ka thënë Rashica.

 

Rashica, ju keni ardhur gjatë janarit te Bremeni, por nuk dimë shumë për ju…
Rashica: Jam një tip shumë normal. Pas përgatitjeve, zakonisht jam në shtëpi me të dashurën time (Belkiz Kera). Ajo më ka mbështetur shumë. Me të mund të flas për gjithçka. Mbi të gjitha, ajo është një kuzhiniere tepër e mirë.

Dhe a keni ndonjë ushqim të preferuar gjerman?
Rashica: Orizin me qumësht! Edhe në vendlindjen time është një ushqim tradicional. Por atje e hamë të ftohtë.

Sa ju mungon shtëpia?
Rashica: Për mua ka qenë një hap i madh, kur para tre vjetësh erdha nga Kosova në Holandë. Nuk ka shumë lojtarë nga vendi im, që luajnë në njërën nga top pesë ligat e botës. Për këtë të arritur ne duhet të jemi krenarë. Dua të bëhem një idhull për fëmijët e Kosovës.

Si është futbolli në Kosovë?
Rashica: Në tre vjetët e fundit është bërë shumë. Janë ndërtuar stadiume të reja dhe ka shumë sponsorë që përkrahin klubet. Sa isha unë, kjo ka qenë më e vështirë. Atëbotë Kosova nuk ishte pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s. Nuk kisha mundësinë të luaja në kombëtare sikur tani.

Dhe, megjithëkëtë, ju keni arritur deri në Bundesliga…
Rashica: Për këtë e falënderoj shumë familjen time. Ajo gjithnjë është përkrah meje dhe më mbështet. Kur isha fëmijë, babai im gjithnjë më ka dërguar në përgatitje me makinë. Ai është dentist dhe kishte shumë punë. Por këtë e bënte me qejf. Sot familja ime nuk e humbet asnjë ndeshje timen. Është shumë krenare me mua.

Sa është e rëndësishme feja për ju?
Rashica: Shumë e rëndësishme. 90 për qind e kosovarëve janë myslimanë. Unë mundohem t’u përmbahem rregullave të religjionit aq sa mundem. Nuk ha mish të derrit dhe nuk konsumoj alkool, po ashtu falem e lutem shumë. Megjithatë, muajin e Ramazanit nuk mund ta agjëroj tërësisht, pasi bëj edhe jetë sportisti.

Si po ju shkojnë përgatitjet me Werderin?
Rashica: Po ndihem shumë mirë. Dimrit nuk mund t’i realizoja mirë, pasi erdha vonë. Dhe këtë e vërejta në sezonin pranveror. Tani jam kondicionalisht në të njëjtin nivel si të tjerët, punoj çdo ditë me djemtë e tjerë dhe jam shumë i angazhuar.

Në sezonin e kaluar ju ishit vetëm pesë herë në ekipin e parë. Pritnit më shumë?
Rashica: Muajt e parë ishin shumë të vështirë për mua. Më duhej pak kohë për t’u përshtatur. Dallimi midis ligës së Holandës dhe Bundesligës është shumë i madh. Ritmi është i lartë në ndeshje, stadiumet janë më të mëdha dhe përgatitjet më intensive. Më duhej të punoja shumë në anën taktike, sidomos në mbrojtje. Në fund të sezonit e arrita një gjë të tillë, madje mirë.

Çfarë synime i keni vënë vetes për sezonin e ri?
Rashica: Dua ta ndihmoj ekipin me gola e asistime. Kam punuar shumë në përgatitje dhe jam munduar ta bindi trajnerin. Dua të luaj, edhe pse kemi një konkurrencë tepër të fortë në pozitat e anësorëve. Nuk jam asnjëherë i qetë dhe dua ta provoj veten deri në kufijtë e mi. Në fund, është trajneri ai që vendos kush luan.

Cilat janë gjasat tuaja kundër Wormsit për ekipin e parë?
Rashica: Unë jam shumë i përgatitur. Do të më pëlqente shumë nëse do të isha në ekipin e parë. Pavarësisht a do të luaj në krahun e majtë apo të djathtë, por prapë në fund është vendimi i trajnerit.

Dhe ju jeni më i shpejti i ekipit apo?
Rashica: Këtu janë disa lojtarë të shpejtë në ekip. Nuk e di a jam unë më i shpejti. Së paku mua më thonë bashkëlojtarët se jam raketë (qeshet).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fotografi amerikan, Steve McCurry, ka shpërndar një fotografi të një…