Rashica, i lumtur me formën e tij dhe të Besiktasit
Milot Rashica ka thënë së është i lumtur me formën që po e shfaq në këtë fillim sezoni në Superligën turke.
Ylli i Kosovës e ka ndihmuar Besiktasin në fitoren 4:2 ndaj Antalyasporit në fundjavën që shkoi.
Vushtrriasi ka dhuruar dy asistime, fillimisht për Immobilen e më pas për Silvan, ndërsa sulmuesi italian e ka shënuar edhe një gol tjetër, kurse të katërtin dhe të fundit e ka realizuar futbollisti shqiptar, Ernest Muçi.
Besiktasi prin në tabelë me 6 pikë duke i fituar të dyja ndeshjet e para sezonale.
Dhe, kjo s’ka se si të mos e bëjë të ndihet mirë 28-vjeçarin, i cili e bëri një postim në rrjetet sociale. “Dy fitore nga dy ndeshje. Të vazhdojmë kështu përpara”, ka shkruar Rashica në “Instagram”.
Në ndeshjen e parë sezonale, Besiktasi e kishte mposhtur Samsunsporin në udhëtim me rezultat 2:0.
Ekipi nga Stambolli synon ta fitojë titullin e kampionit në Turqi, teksa rivalë kryesorë edhe në këtë sezon do t’i ketë dy gjigantët tjerë turq, kampionin aktual Galatasaray, ku kishte luajtur Milot Rashica për një vit në formë huazimi, dhe Fenerbahçen.