Rashica kujton kohën e luftës dhe suksesin historik në Ligën e Kombeve
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Milot Rashica, e ka treguar dashurinë e vet për vendlindjen, Kosovën, në një intervistë për faqen zyrtare të klubit të tij, Werder Bremenit.
Rashica e kishte filluar karrierën si futbollist në Kosovë dhe për shkak të talentit të tij, arriti ta sigurojë një transferim në Holandë, për Vitessen. Përkundër kësaj arritje, ai e konsideron triumfin e Kosovës në Ligën e Kombeve si arritjen më të madhe të karrierës së tij. “Dy transferimet, një herë nga Kosova në Eredivisie, pastaj në Werder janë momente të veçanta në karrierën time, mirëpo mendoj se triumfi në grupin e Ligës së Kombeve me vendlindjen time është momenti im i preferuar”, ka thënë Rashica.
Përkundër që është duke jetuar për pothuajse katër vjet larg Kosovës, në Holandë dhe Gjermani, Rashica ka bërë me dije se ai ende është shumë i lidhur me Kosovën, duke rrëfyer edhe për kohën e luftës.
“Unë kam lindur në Kosovë, isha në shkollë atje, luajta atje deri në moshën 18-vjeçare. Jam ende shumë i lidhur me vendim tim. Shumë njerëz vdiqën gjatë luftës dhe humbën shumë anëtarë të familjes, shumë njerëz vuajtën gjatë asaj kohe. Kishte dhe ende ka shumë konflikte. E kaluam një rrugë të gjatë derisa e fituam këtë liri dhe tani po luaj për vendin tim. Nuk u njohëm nga FIFA si federatë e futbollit për një kohë të gjatë. Për këtë arsye, kjo gjë është shumë e rëndësishme për mua”, është shprehur Rashica. Në këtë intervistë, Rashica bëri me dije se ushqimet e tij të preferuara janë ushqimet tradicionale shqiptare, si flija dhe byreku. Ai zbuloi se artisti i tij i preferuar është Unikatili, në mesin e shumë artistëve të tjerë shqiptarë.