Rashica mbetet në Werder, dështon transferimi i tij
Milot Rashica bëri gjithçka që mundi për t’u larguar nga Werder Bremen në ditën e fundit të afatit kalimtar të kësaj vere. Aq të mëdha ishin përpjekjet e sulmuesit të Kosovës saqë një aeroplan privat e priti atë tërë ditën e hënën në pistën e Aeroportit të Bremenit, për ta çuar në destinacionin e mundshëm në Angli në kohën e nevojshme. Në drekë, kur gjërat u bënë serioze me Bayer Leverkusen, Rashica udhëtoi me makinë drejt Rhineland.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës ishte buzë largimit nga Werderi ishte, por marrëveshja dështoi pak para mbylljes së afatit kalimtar të verës në orën 18:00 në Gjermani, raporton Gazeta Express.
Werderi e prishi marrëveshjen sepse nuk e pranoi ujdinë e Leverkusenit, i cili ishte i gatshëm vetëm ta huazojë kosovarin pa detyrim blerjeje.
Rashica nuk iu bashkua Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e tetorit, kundër Maqedonisë së Veriut në play-off për kualifikim në Euro 2020 dhe kundër Sllovenisë e Greqisë në Ligën e Kombeve.
Arsyet e mos ardhjes së tij në kampin dardan u cek lëndimi nga i cili është riaftësuar pasi kishte stërvitur tërë javën e kaluar.
Drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann, ka folur për dështimin e largimit të Rashicës nga klubi, duke e pranuar se kjo verë ka qenë e palumtur për 24-vjeçarin.
“Natyrisht se Miloti është i zhgënjyer. Por ai do të zbresë në fushë përsëri për ta përmirësuar gjendjen e vet”, tha Baumann.
“Kjo verë ishte me plot stres për Milotin. Ka pasur shumë bisedime për të, shumë klube ishin të interesuara për të. ai u shpërqendrua nga gjithë këto klube, nuk ishte përvojë e mirë për të”, theksoi ai.
Ai është zotuar se klubi, me të cilin Rashica ka kontratë deri në verën e vitit 2022, do ta mbështesë plotësisht kosovarin tani që është detyruar ta vazhdojë karrierën në Bremen.
Rashica së pari arriti marrëveshje me RB Leipzig në prill, por Werderi nuk e pranoi ofertën e rivalit gjerman për kosovarin, e cila thuhet të ishte më e vogël se çmimi i caktuar për Rashicën në vlerë prej 25 milionë eurove.
Ai ishte pranë kalimit edhe në Aston Villa, klubin e Premierligës që ishte i gatshëm ta paguante çmimin e kërkuar për të, por jo edhe t’ia plotësojë kosovarit kërkesat për pagë.
Werderi e uli çmimin e tij në 20 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe atëherë u lajmërua Leverkuseni, por pa shprehur gatishmëri ta blejë atë, duke kërkuar vetëm ta huazojë
Një verë e tmerrshme për yllin kosovar mbaron në tetor dhe atij do t’i duhet tani të qëndrojë në Bremen të paktën deri në janar, për të provuar përsëri.