![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/rashica.jpg)
Rashica zyrtarizon largimin nga Skënderbeu
Ermir Rashica është larguar zyrtarisht nga Skënderbeu. Njoftimin e ka dhënë vetë lojtari, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Rashica e cilëson si një ditë të vështirë, largimin nga një klub, që sipas tij i ka dhënë shumë dhe ka kaluar momente të paharrueshme. Sulmuesi do të vazhdojë karrierën në Ukrainë, te skuadra e Metalist 1925 Kharkiv.
“Lamtumirë KF Skënderbeu! Faleminderit për gjithçka! Sot është një ditë e vështirë për mua, sepse më duhet të them lamtumirë një klubi që më ka dhënë kaq shumë. KF Skënderbeu nuk ishte thjesht një ekip, por një familje, një shtëpi e dytë ku kam kaluar momente të paharrueshme. Çdo ndeshje, çdo fitore, çdo sfidë e ka lënë një shenjë të thellë në zemrën time.
Dua të falënderoj presidentin e klubit, drejtuesit e klubit, stafin teknik, bashkëlojtarët dhe mbi të gjitha tifozët e zjarrtë të Skënderbeut, që më kanë mbështetur në çdo hap. Edhe pse po largohem, mirënjohja ime për këtë klub do të mbetet e përjetshme. Jam i lumtur për këtë hap të ri në karrierën time dhe i motivuar për të dhënë më të mirën time në këtë aventurë të re. Faleminderit Skënderbeu! Lidhja jonë nuk do të shuhet kurrë”, shkruan Rashica.
Sulmuesi 20-vjeçar u bashkua me Skënderbeun në verën e vitit 2023 nga Trepça 89 dhe në një sezon e gjysmë spikati, duke tërhequr interesime të mëdha. Rashica luajti me korçarët në 24 ndeshje, ku regjistroi nëntë gola dhe dy asiste. Në ceremoninë “Topi i Artë 2024”, Rashica u zgjodh si “Talenti i Vitit”.