Rashiq për asociacionin: S’mund të flas në emër të kryeministrit apo ministrave të tjerë
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se takimi në Ambasadën e ShBA-së ku është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte produktiv dhe në një nivel të lartë serioziteti.
Ai ka thënë se mbështet inicimin e proceseve, duke shtuar se nuk mund të flasë në emër të kryeministrit apo ministrave të tjerë në qeverinë Kurti.
Në një konferencë për media, Rashiqi ka thënë se takimi ka pasur peshë të madhe politike.
“Takimi ka qenë produktiv dhe unë e shoh që ka pasur një dimension të nivelit të lartë të seriozitetit sepse konsideroj që ka pasur mbështetje në një organ për ne kaq politikisht të them influental siç është Ambasada Amerikane. Edhe pse takimi nuk ka pasur ndoshta ndonjë përmbyllje teknike por në veçanti ka pasur peshë politike. Kështu që e vlerësoj si një takim pozitiv shumë më të mirë se takimet paraprake të cilat kam qenë pjesëmarrës, e vlerësoj si akt pozitiv”, ka thënë ai.
Rashiqi ka thënë se çdo dokument që është draft nuk është diçka përfundimtare dhe të tilla mund edhe të mos pranohen.
“Duhet të kuptoni saktë që secili dokument që është draft do të thotë versioni në përpunim, kjo nuk është diçka përfundimtare, po thotë është diçka fillestare, është një propozim, është një ide e cila mund të pranohet por mund të mos pranohet asnjë pjesë e saj. Prandaj siç kam thënë më herët krejt ky është proces, unë jam për inicim të proceseve, inicim të proceseve që do të thotë të bëjmë ne në mënyrë proaktive që të shkojmë, si të them, përballë sfidave, jo të presim që të ndodhin dhe të reagojmë në defensivë. Por unë jam njeri që konsideroj që proaktiviteti në këtë rast është mënyra e suksesit”, ka thënë Rashiqi, raporton “Kosovapress”.