Rashiq tregon nëse do ta votonte një qeveri të partive që ishin në opozitë

14 prill 2025 | 11:02

Nenad Rashiq ka thënë se më së miri do të ishte që qeverinë ta formonte Vetëvendosje si partia me numrin më të madh të votave.

Sa i përket shantazheve nga Beogradi për politikanët serbë në Kosovë, të cilat i ka përmendur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Rashiq ka thënë se kjo s’është diçka e re.

“Po, nëse ka propozim që është i arsyeshëm siç e dini rregullat thonë që partia më e madhe ose në këtë rast LV ka të drejtën e propozimit të kryeparlamentarit, andaj nuk shoh ndonjë problem në këtë aspekt. Mund të pyesni a i ka numrat, unë nuk jam përgjegjës për atë. Por unë jam besimtar i krijimit të një qeverie, ku partia politike që ka marrë gjysmën e ulëseve me deputetë shqiptarë, është adresa e duhur për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai pasi është regjistruar si deputet i Kuvendit.

Për shantazhet nga regjimi i Beogradit, Rashiq ka thënë se “janë prej 2013-tës deri sot”.

“Shantazhet janë prej 2013-tës, nuk është diçka e re. unë e di që ka ndodhë dhe ndodhë ndaj politikës që besoj unë, ndaj bashkëpunëtorëve të mi. Kjo për mu nuk është diçka e re, që prej regjimit të Beogradit, ta keqpërdorin çdo politikan ose të përdorin çdo mënyrë për politikanët serbë këtu”,  ka thënë ai.

Rashiq nuk është optimist se nesër (e martë) mund të votohet qeveria ndërkaq sa i përket votës së tij, u pyet edhe nëse do ta votonte një qeveri të përbërë nga partitë që ishin në opozitë deri tani.

“Nuk jam optimist që do të votojmë nesër qeverinë”, ka thënë Rashiq, duke shtuar se nëse “vjen puna për një qeveri të opozitës, është një proces i gjatë”.

“Është proces i gjatë. Shikoni, është proces i gjatë, nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç. Nëse nuk gaboj më 2014 kemi pasur një situatë të tillë por pas dy apo tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Po konsideroj që varianti më i mirë është që partia më e madhe ta formojë qeverinë”, ka thënë Rashiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen do të udhëtojë në Milano me një mision…