Rashiqi: 95 përqind e serbëve nuk janë për ndryshim kufijsh
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Slloboda, Nenad Rashiq, ka thënë se ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve është e dëmshme.
Ai kështu ka thënë në debatin “FOL Hapur”, duke theksuar se duhet të punohet në thellësi dhe jo vetëm në sipërfaqe.
“Të gjithë bisedojnë për ne, por ne nuk jemi pjesë e procesit. 95 për qind e serbëve nuk janë për ndarje ose ndryshim të kufijve. Shumica e është për bashkëjetesë dhe kushdo që manipulon me këtë gjë është politikan.Ka një bashkëpunim shumë të mirë midis serbëve dhe shqiptarëve. Presidenti Thaçi po inicion vetëm ide dhe kaq. Ai e ka iniciuar idenë e korrigjimit të kufijve që është tejet e dëmshme. Duhet të punojmë në thellësi e jo vetëm në sipërfaqe”, ka thënë ai.
Më tutje, Rashiqi ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.
“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë, por nevojitet edhe dialogu fetarë ku do të mund të përfshihen peshkopi serb dhe imami kosovar. Ne do të jemi absolutisht përgjegjës në procesin e dialogut me Serbinë. Marrëveshja mund të jetë e vlefshme vetëm nëse serbët e Kosovës janë pjesë e atij dialogu. Ne mundë jemi urë komunikimi mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Rashiqi.