
Rashiqi: Kurti dhe Vuçiqi po aktrojnë, marrëveshja është arritur ose janë afër
Politikani serb në Kosovë, Nenad Rashiq, beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tashmë e kanë arritur një marrëveshje në Bruksel, apo janë afër arritjes së saj.
Rashiqi ka thënë të hënën në “Frontal” të “T7” se Kurti dhe Vuçiqi po aktrojnë dhe se me “populizëm në nivelin ekstrem” ata po i përdorin popullin e Kosovës dhe Serbisë.
“Për këtë mosmarrëveshje, unë e shoh që ka me të vërtetë mundësi që të dyja palët e kanë arritur një marrëveshje ose janë shumë afër marrëveshjes”, ka thënë Rashiqi.
Ish-këshilltari i kryeministrit ka thënë se të dyja palët, pra Kurti dhe Vuçiqi e kanë “atë elementin e kokëfortësisë të cilin e përdorin”. Fjalimin e Vuçiqit pas takimit në Bruksel, Rashiqi e ka quajtur “farsë”.
Rashiqi ka thënë se Vuçiqi “e ka një nevojë që t’i frikësojë qytetarët tërë kohën dhe bën manovrime politike”.
Kurti dhe Vuçiqi sipas tij vetëm po e përgatisin opinionin publik këto ditë.
“Më 1 shtator unë nuk pres që të ketë tensione dhe kurrfarë telashe”, ka thënë Rashiqi.