
Rasim Demiri jep dorëheqje nga pozita në komunën e Prizrenit për t’u bërë deputet i Kuvendit
Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Rasim Demiri, ka dhënë dorëheqje nga ky funksion. Këtë vendim, ai e ka marrë meqë gjatë ditës do të betohet si deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Njoftoj opinionin publik se sapo kam dhënë dorëheqje nga funksioni i drejtorit të Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prizrenit, si rezultat i zgjedhjes sime si deputet në Kuvendin e Kosovës. Sot do të jap betimin si deputet dhe do t’i përkushtohem plotësisht detyrës së re dhe përgjegjësisë që vjen nga besimi i qytetarëve”, ka njoftuar Demiri.
Ai ka theksuar se gjatë angazhimit si drejtor komunal, bashkë me ekipin dhe në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, janë arritur rezultate drejt përmirësimit të sistemit të mbrojtjes sociale, rritjes së përfshirjes së përfituesve të shërbimeve sociale, përmirësimit të kushteve në qendrat për punë sociale si dhe janë realizuar projekte që kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës për shtresat më të cenueshme të shoqërisë.