Rasim Selmanaj: Tri ditë me radhë s’mu ndalën torturat në burgun e Pejës nga Mehmet Loci
Rasim Selmanaj rrëfeu përvojat e tij gjatë regjimit jugosllav në “Debat Plus”. Ai përshkroi torturat e rënda që pësoi pas arrestimit në vitin 1981, veçanërisht nga Mehmet Loci.
Në cilësinë e ish-të burgosurit politik, Rasim Selmanaj, në “Debat Plus”, ka rrëfyer copëza përjetimi për veprimtarinë kombëtare dhe pasojat që i ka vuajtur më pastaj nga regjimi jugosllav.
Selmanaj, i cili u arrestua për herë të parë në vitin 1981, përshkroi trajtimin brutal të cilit iu nënshtrua, duke theksuar veçanërisht torturat sistematike të kryera nga shqiptarët e UDB-së famëkeqe.
Ishte pjesëtari i UDB-së, Mehmet Loci dhe një serb, të cilët sipas Selmanajt u morën ekskluzivisht me të.
“Aty [në Pejë], filloi marrja në pyetje të paktën tri ditë e tri net, kemi qëndru në ato dhoma të UDB-së. Na lidhën duart në radiator. Torturat ishin të njëpasnjëshme. Më së shumti që janë marrë me mua, që kanë bërë tortura ka qenë një serb dhe Mehmet Loci, por ka pasur ehe të tjerë me provokime. Por dy që kanë qenë ekskluzivisht me mua kanë qenë këta dy. Më kujtohet një natë, në ato dhoma të burgit, nuk maltretoheshin dy-tre, por ishin disa. Islam Mustafaj, Bajram Mehmetaj, Nasim Haradinaj e plot, u nishin britmat duke i torturu”, tha Selmanaj.
Pavarësisht torturave të Mehmet Locit, Selmanaj mbajti qëndrim të fortë dhe nuk pranoi fajësinë, derisa u përballua me prova që treguan se aktivitetet e tij ishin zbuluar.
“Mehmet Loci dhe një serb kanë marrë pjesë sistematikisht në tortura. Qasja e Mehmet Locit ishte shumë e keqe, insistonte me i pranu aktivitetet tona. Nuk i kam pranu, pavarësisht torturave deri në një moment kur më kanë marrë dhe dërgu në një dhomë, dhe më kanë thënë këqyri [makinat për shtypjen e afisheve]. Aty e kuptova që është zbulu gjithçka.
Më kujtohet, hyri njëherë Mehmet Loci, se ai ka mendu që unë 18-vjeçar dhe mund të më lajthis. Më tha a po më njeh, tha si s’po më njeh jam shok i Nazmis, tha unë kam qenë në familje të tuajën, kur e bishi zërin e Kosovës prej Jusuf Gërvallës me lexu. E dija unë që ishte udbash. Ai provoi të më lajthis duke thënë se ishte shok i vëllait”, tha ai.
Një nga momentet më të rënda që Selmanaj kujton ishte kur një armë u vendos në kokën e tij, teksa torturuesit që kërkonin ai të pranojë ose të përballej me vdekjen.
“Dhunë psikikë ka pasur në vazhdimësi, por ke pas raste kur revolen ta vendoste në kokë dhe thoshin a po pranon a të vras. Ishte presion i jashtëzakonshëm, por pa modesti kemi qenë të kalitur për këso situata, me u burgos edhe me vdek edhe në torturë por mos me pranu”, tha ai.
Selmanaj kujton se në datat 25 deri 27 prill të vitit 1981 nuk janë ndalur për asnjë moment torturat ndaj tij.