Rast i rëndë në Gjilan, vajza e mitur tenton t’i japë fund jetës
Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët. Një rast i rëndë ndodhi dje në një familje në Gjilan, raporton Sinjali.
Një vajzë e moshës së mitur tentoi t’i japë fund jetës, duke prerë venat dhe, për pasojë, u dërgua në spital me urgjencë.
Burimet brenda Emergjencës në Spitalin e Gjilanit kanë bërë me dije se 15-vjeçarja është dërguar në këtë qendër pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Sipas informacioneve të para, pas intervenimit të ekipit mjekësor, gjendja e saj është stabilizuar.
Sinjali mëson se policia është njoftuar për rastin nga spitali dhe më pas një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.