Rastet e reja me Covid-19: Wuhani planifikon ta testojë gjithë popullatën prej 11 milionë banorësh
Në qytetin kinez të Wuhanit po hartohen plane për të testuar gjithë popullsinë prej 11 milionë banorësh. Ky plan është në fazat e hershme, pasi të gjitha rrethet e Wuhaint duhet të tregojnë strategjinë se si mund të bëhet testimi brenda 10 ditësh.
Ky propozim vjen pasi Wuhani, vendi ku shpërtheu virusi regjistroi gjashtë raste të reja këtë fundjavë. Që nga 3 prilli deri në fundjavë nuk u shënua asnjë rast i vetëm dhe kjo ka ngjallur dyshime. Wuhani që u mbyll prej 11 javësh u rihap me datë 8 prill.
Dukej sikur jeta po kthehej në normalitet, pasi shkollat u rihapen, bizneset gradualisht po ashtu dhe transporti publik. Por shfaqja e virusit, tani po kërcënon rikthimin në fazën e parë.
Sipas The Paper, që citon një dokument të publikuar, tregon se çdo rrethi në qytet i është thënë të hartojë një plan testimi 10-ditor.
Megjithatë, disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë të cituar nga gazeta Global Times treguan se testimi i të gjithë qytetit do të ishte i paarritshëm dhe i kushtueshëm.
Një drejtor i një Universiteti në Wuhan tha që një përqindje e madhe e popullsisë së Wuhan-rreth 3-5 milion ishte testuar tashmë, dhe se në Wuhan ka kapacitet për të testuar 6-8 milionë banorë që nuk janë testuar.
Edhe SHBA tani po bën rreth 300,000 teste çdo ditë, sipas Shtëpisë së Bardhë. Deri më tani, janë testuar pothuajse 9 milion njerëz në total. Në një faqe kineze të mediave sociale Weibo, njerëzit kanë shtruar pyetje nëse një numër kaq i madh i testeve mund të kryhen brenda vetëm disa ditësh.
Një tjetër tha që testime të tilla duhej të ishin kryer përpara se Wuhan të rihapte dyert për pjesën tjetër të Kinës.