Rasti i Almir Aliut, seanca shtyhet për datën 6 shkurt
Është anuluar seanca gjyqësore për rastin e katër vjeçarit Almir Aliu.
Gjykata Themelore në Kumanovë njoftoi palët se mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës për arsye shëndetësore, ka pamundësuar zhvillimin e seancës.
Paralajmërimet për rikualifikimin e lëndës e kundërshtuan edhe familjarët e Almirit. Ata kërkojnë dënim maksimal për të dyshuarin Boban Iliç.
“Do t’i kisha pyetur prokurorët se si do të kishin vepruar nëse ky rast do t’i kishte ndodhur fëmijëve të tyre. Ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër, pra veç drejtësi. Nëse bëhet ajo, nuk di, nuk kam koment”, u shpreh Sedat Aliu, prind i Almir Aliut.
Reagimet e opinionit dhe kërkesat e partive politike për mos rikualifikimin e veprës, nxitën edhe reagimin e kryeprokurorit Lubomir Joveski i cili përmes një shkrese kërkoi që politika t’i mbaj duart larg nga Prokuroria.
“Apeloj deri tek të gjitha partitë politike që të mos ushtrojnë presion dhe të mos përzihen në punën e Prokurorisë Publike, sikurse që po ndodh ditëve të fundit. Për këtë arsye kërkoj edhe për rastin që kohëve të fundit është aktual në opinion, të veprojnë në pajtim të deklarimeve të tyre. Ju bind se edhe për rastin tragjik, ku jetën e humbi katërvjeçari Almir Aliu, po veprohet në mënyrë profesionale dhe në bazë të ligjit”, thuhet në letrën e Joveskit.
Javën e kaluar, çështja e Almir Aliut u diskutua në kolegjin e Prokurorisë Republikane, sa kaq prokurorët u ndanë në baza etnike, ata shqiptarë të cilët ishin kundër rikualifikimit dhe ata maqedonas të cilët kërkonin që vepra të kategorizohet si “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.