Rasti “Banjska”, nuk dihet nëse kanë përfunduar ekspertizat në Finlandë
Edhe pak javë bëhen një vit prej se Kosova u përball me një nga sulmet më të rënda të organizuar nga një grup i armatosur serbësh i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Për më shumë se 10 muaj, Prokuroria Speciale e cila është duke e hetuar rastin, por asnjëherë nuk ka treguar për ecurinë e hetimeve. E gjatë muajit maj Ministria e Drejtësisë, tregoi se mostrat biologjike të gjetura në Banjskë, që dyshohet se i përkasin personave që ishin në këtë grup, u dërguan për ekzaminim në Finlandë.
Këto mostra u dërguan në shtetin nordik sepse Kosova nuk e ka funksional laboratorin e toksikologjisë.
Por, MD-ja nuk ka treguar nëse kanë përfunduar ekzaminimet e provave të dërguar, duke thënë se duhet t’i drejtohemi Prokurorisë, institucion i cili edhe këtë herë nuk ka kthyer përgjigje.
“Lidhur me kërkesën tuaj, Ju lutem t’i drejtoheni institucionit kompetent në këtë rast Prokurorisë,” thuhet nga Ministria e Drejtësisë.
Në anën tjetër nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thonë se prokuroria duhet të njoftojë për rrjedhën e rastit, pa zbuluar detaje që konsiderohen konfidenciale, ndërkohë që presin që aktakuza në këtë rast të ngritët sa më shpejtë.
“Se kur mund të kemi një aktakuzë është afatet janë të caktuara me Kodin e procedurës, por ne vlerësojmë se është mirë që sa më shpejtë të kemi një aktakuzë për rastin Banjska por më e rëndësishme se kjo është që kjo aktakuzë të jetë sa më e bazuar në provat dhe të cilat e argumentojnë përfshirjen e Milan Radoiviqin dhe përfshijnë e grupit të tij në ngjarjen e Banjskës,” deklaroi Liridon Salihi nga GLPS.
Salihi tutje thotë se secili institucion duhet të përmbush përgjegjësit që ka, për të lehtësuar punën e prokurorëve në mënyrë që kjo aktakuzë të arrijë të kalojë të gjitha filtrat.
“Çështja e komenteve e aspektit të kushteve mbi të cilat duhet të punojnë prokurorët, dhe i institucioneve për materialet adekuate ose me gjësende që mund të e lehtësojnë hetimin mbetet në përgjegjësinë e institucioneve cila do qoftë ajo, por më e rëndësishmja është që këto hetime duhet të kryhen në mënyre profesionale dhe të kemi prova të bazuara,” shtoi Salihi.
Kompleksë e vlerëson rastin avokati Naim Rudari, i cili thotë se prokurorisë do t’i duhet më shumë kohë për të hetuar këtë rast.
“Mund të bëhet gjykimi në mungesë pa u përfillur kriteret e parapara të prezencës për të akuzuarit në seancën fillestare dhe atë të shqyrtimit kryesor, pra në rastin konkret së paku kryesuesi i këtij grupi Radoiçiq, e të tjerët do të ngarkohen për veprën vrasje e rëndë, e nuk e di tani nëse do të përmbushen elementet e veprës penale gjenocidi e veprat e tjera, veprat që do të ngarkohen janë jashtëzakonisht të rënda, dhe pa asnjë pengesë do të lejohet gjykimi në mungesë,” tha Rudari.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, nga sulmi i armatosur i grupit që po udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.