“Rasti Grandi”, shembull i humbjeve milionëshe dhe i dështimit institucional të Kosovës e jo “fitore” politike

06 janar 2025 | 09:42

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Përkundër këtij dështimi, lajmi i kthimit të mjeteve te kompania “Mabco Construction” po prezantohet nga disa si “fitore”, një qasje që vetëm ushqen propagandën partiake dhe maskon dështimet serioze të institucioneve. Në të vërtetë, kjo situatë është një kujtesë e rëndësishme për nevojën e reformave urgjente në menaxhimin institucional dhe mbrojtjen ligjore të interesave të Kosovës.

Javën e kaluar, kompania “Mabco Construction”, në pronësi të Behgjet Pacollit, fitoi një çështje arbitrazhi kundër shtetit të Kosovës në lidhje me rastin e Hotelit Grand. Sipas vendimit, shteti i Kosovës duhet t’i kthejë kompanisë paratë që kishte paguar për pronësinë e objektit, ndërsa hotel “Grand”-i mbetet nën pronësinë shtetërore.

Një analizë e thelluar ngre pyetje mbi arsyen pse ky objekt nuk është privatizuar. Nëse “Grand”-i do të ishte privatizuar, përfitimet për shtetin mund të ishin të mëdha: Investime të reja në një ndërtesë ikonë të kryeqytetit; Punësim i të rinjve, duke ndihmuar ekonominë vendore; Përmirësim i imazhit të Kosovës si një destinacion i sigurt për investitorët, duke dëshmuar një kornizë ligjore mbështetëse për ta.

Nga një tjetër këndvështrim, ky rast pasqyron mangësitë serioze institucionale të Kosovës. Procesi i stërzgjatur në arbitrazh ka dërguar mesazhe negative për investitorët e huaj dhe ata shqiptarë, duke minuar besimin e tyre për të investuar në vend.

Një tjetër çështje është mungesa e llogaridhënies. Fakti që shteti i Kosovës humb rreth 60 milionë euro në arbitrazhe ndërkombëtare çdo vit – ose afërsisht 5 milionë në muaj, kërkon një hetim të thelluar dhe ndëshkime për ata që dështojnë të mbrojnë interesat e vendit.

Ky rast nuk është arsye për mburrje, por një thirrje për reflektim të thellë dhe përgjegjshmëri. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me seriozitet për të parandaluar dështime të ngjashme në të ardhmen dhe për të ndërtuar një mjedis më tërheqës për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Është shqetësues fakti se me çfarë lehtësie premtohen pagesat milionëshe në proceset e Arbitrazheve pa kërkuar përgjegjësi se pse erdhi deri tek ky vendim dhe pse po përsëriten këto vendime.

Këto miliona euro që duhet të paguhen nuk vijnë nga xhepi i ministrave por janë pronë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Duhet të ngritët përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia e jo këto raste të ndëshkimit dhe penalizimit të Kosovës të përsëriten, madje disa herë brenda vitit.
Miliona euro do të paguhen por a dihet çka do të ndodhë me fatin e hotelit “Grand” në të ardhmen.

A do të mbeten edhe më tutje një “bukuri që vret” në qendër të Prishtinës apo do t’i lihet kohës që në heshtje një ditë të jetë një objekt komercial dhe banesor e të përjetojë fatin e shumë fabrikave dhe objekteve të privatizuara me Spinoff special në Kosovën e pas luftës, të cilat u tjetërsuan dhe u shndërruan në lagje dhe objekte banesore e jo në fabrika të modernizuara që do të kontribuonin në prodhim, punësim dhe rritje të eksporteve në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Republika e Kosovës e meriton një të ardhme më ndryshe ku për shtetin veprohet e nuk flitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident ka ndodhur në orët e para të ditës…