Rasti i “Calit” në Hagë, flet dëshmitari i dytë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon seanca ndaj ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafa, intervistimi i të cilit po vazhdon edhe sot, për të pestën ditë me radhë.
Sot prokuroria po interviston dëshmitarin e dytë.
I pyetur nga trupi gjykues nëse ka pasur komandë qendrore apo koordinim për të bashkërenduar dy njësitë në Zllash, dëshmitari u përgjigj se “kur na sulmonin serbët jemi gjind qysh kemi mundur”.
“Nuk ka pasur koordinim. Nuk besoj që ka pasur për arsye se kur kanë sulmuar forcat serbe jemi gjind secili qysh kemi mund për t’u mbrojtur”.
“Komandë të veçantë s’ka pasur as nga BIA as nga zona operative në Zllashë që ka vepruar, por kur kanë sulmuar ne jemi kon të gatshëm me dal përballë qysh kemi mundur”.
Ai u shpreh se Mustafa njihet me nofkën “Komandant Cali”, rrinte më shumë me uniformë dhe mbante kapelë të kuqe.
Ai gjithashtu ka thënë se komandant “Cali” e kishte zëvendësin i cili sipas tij, ishte i njohur me pseudonimin “Dardani”.
“Ata zakonisht kanë pasur pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”.
Dëshmitari i dytë, gjatë intervistimit në Hagë, ka lënë të nënkuptohet se ishte pjesëtar i një njësie luftarake gjatë luftës (UÇK), pasi kur u pyet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nëse ka pasur bashkëpunim mes njësive në operacione luftarake, ai u përgjigj: “Po, kemi bashkëpunu”.