Rasti i ‘Call Center’, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 23 personave
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër njëzet e tre (23) të pandehurve A.F, K.G, I.L, D.H, M.T, V.K, A.Z, L.H, Ç.Q, F.H, M.K, F.K, I.S, S.P, A.V, A.N, I.Xh, A.Dh, E.L, A.M, K.R, E.R dhe Q,I për rastin e njohur “Call Center ”.
Sipas aktakuzës të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat e penale gjatë viteve 2019 – 2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, ku si pasojë janë mashtruar qytetarët – shtetas gjerman, përmes qendrave të thirrjes – “Call Center”, duke investuar nëpër platformat online.
Me veprimet e lartcekura të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par. 1 të KPRK-së , “Shpëlarja e parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56 dhe 57 të Ligjit 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 lidhur me par. 1, dhe me nenin 31 të KPRK-së.
Ky rast është hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë së bashku me autoritetet gjermane, saktësisht me Prokurorinë Publike në Bamberg – Gjermani.