Rasti i Iran Badallit/ Avokatët mbrojtës kërkojnë përjashtimin e prokurorit të rastit
Një shpërthim i rëndë kishte ndodhur në janarin e vitit 2020 në Zhur të Prizrenit.
Nga shpërthimi mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u lënduan dy të tjerë.
Për rastin në fjalë po akuzohen Iran Badalli dhe Arben Gashi.
Derisa, shpërthimi kishte ndodhur në shtëpinë e të pandehurit Iran Badalli.
Që nga ajo kohë Badalli ndodhet në paraburgim.
Lidhur me rastin në fjalë për Front Online kanë folur avokatët mbrojtës të Iran Badallit, Valdrin dhe Ermira Gashi.
Ata kanë thënë se procesi tashmë është gati në fazën përfundimtare.
“Po bëhet një zvarritje e procesit në mënyrë të panevojshme sepse nuk është e vetmja masë që siguron që i pandehuri të jetë prezent në procedurën penale”, ka thënë avokati Valdrin Gashi, për Front Online.
Kurse, avokatja Ermira Gashi ka thënë se kanë kërkuar përjashtimin e gjithë prokurorisë së Prizrenit, për siç ka thënë se aktakuza ndaj Iran Badallit është ngritur mbi supozime e asesi mbi ekspertiza.
“Realisht kam kërkuar përjashtimin e gjithë prokurorisë si institucion i Prizrenit për t’i kaluar kjo çështje dhe kjo lëndë një prokurorie tjetër. Shkaqet kanë qenë të shumta dhe kanë qenë në mënyrë kruciale ato që janë vendimtare për një vendim të drejtë dhe meritor në këtë gjë.
Në momentin kur një aktakuzë nga ana e një prokurori të shtetit ngritët mbi supozime dhe asesi mbi ekspertiza dhe prova sigurisht se në si mbrojtës e kemi patjetër që të reagojmë dhe meqenëse kam parë shumë lëshime të mëdha në këtë rast”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Prokuroria ka bërë shumë shkelje në këtë rast.
“Punë e prokurorit është që ai të i plotësojë lëndët me ekspertiza dhe me prova për të ngritur një aktakuzë, pra kanë shkuar pothuajse dy vite me hetime shumë të pabazuara dhe është ngritë një aktakuzë e pabazuar.
Për atë arsye unë kam kërkuar menjëherë përjashtimin duke kërkuar që prokurori i rastit të largohet nga kjo çështje dhe të merret në shqyrtim nga një prokuroi tjetër në mënyrë që të kemi një përfaqësim më dinjitoz edhe të aktakuzës por realisht edhe të vërtetojmë të drejtën faktike më mirë, pra nuk është marrë ekspertiza e ADN-së, nuk është nxjerrë ekspertiza e daktiloskopisë, nuk është nxjerrë ekspertiza e shpërthimit në vendin e ngjarjes prova kyçe të cilat do ta vërtetonin se si ka ndodhë rasti”, ka shtuar ajo.