Rasti i ish-liderëve të UÇK-së, kjo është kërkesa e gjyqtarit të Speciales për ZPS-në

21 mars 2022 | 12:44

Në konferencën e 11-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e paraparë që të mbahet më 24 mars, gjyqtari do të kërkojë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ta njoftojë nëse mund të përfundojnë hetimet deri më 6 maj.

Gjatë kësaj konference, do të diskutohet për zbulimin e provave, përkthimet, hetimet e prokurorisë dhe mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse ZPS mund të sigurojë një përditësim të mëtejshëm mbi datën e parashikuar të përfundimit të hapave të pazgjidhura hetimore, duke përfshirë nëse hetimet mund të përfundojnë deri më 6 maj 2022”, është thënë në vendim, ku theksohet se do të diskutohet në vendimin e gjyqtarit paraprak.

Gjithashtu në këtë konferencë do të diskutohet edhe lidhur me propozimet për thjeshtimin e procedurës në këtë çështje.

“Nëse palët do të ishin në gjendje deri në konferencën e dymbëdhjetë të statusit për të zhvilluar diskutime ‘inter partes’ ndërmjet palëve dhe/ose për të paraqitur propozime me shkrim për të thjeshtuar procedurat e gjykimit që do të përfshihen në dokumentin e dorëzimit të parashikuar sipas rregullit 98(e) të Rregullave, duke përfshirë afatet kohore për paraqitjen e çështjeve të palëve dhe/ose për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, kufizimet në numrin e dëshmitarëve, dhe përdorimin e provave me shkrim dhe propozimet e tabelave”, është thënë në vendim.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO-ja është duke forcuar krahun e saj lindor duke dërguar…