Rasti i “Nish Express”: Si ndodhi shpërthimi e si u sfidua aktgjykimi ndaj Florim Ejupit
Para 23 vjetëve një shpërthim tronditi Kosovën kur një autobus me serbë u hodh në ajër në Livadicë, Podujevë, duke lënë 11 të vdekur dhe rreth 40 të plagosur. Florim Ejupi u akuzua, dënua e më pas u la i lirë në mungesë provash. Avokati i tij, Mahmut Halimi sfidoi provat
Më 16 shkurt 2001, shtatë autobusë të mbushur me serbë iu afruan kufirit të Kosovës, me destinacion Graçanicën. Në orën 10:00, kolona e autobusëve, e përcjellë nga forcat e KFOR-it suedez, arriti në pikën kufitare në Merdare. Pas përfundimit të kontrolleve kufitare, konvoja vazhdoi udhëtimin, me suedezët që udhëhiqnin rrugën dhe britanikët që merrnin përgjegjësinë për sigurinë përgjatë magjistrales Nish-Podujevë.
Rreth orës 11:00, konvoja iu afrua fshatit Livadicë, në Podujevë, ku rruga kryesore kalon mbi disa ura të vogla. Pikërisht nën një nga këto ura, dikush kishte montuar mbi 100 kilogram dinamit, që do të trondiste vendin për disa minuta. Në orën 11:20, autobusi që kalonte mbi urë u hodh në ajër nga shpërthimi. Në këtë rast, 11 serbë humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë u plagosën.
Florim Ejupi u akuzua për këtë akt, me Prokurorinë që pretendonte se dinamitin e kishte aktivizuar nga distanca me një akumulator. Megjithatë, avokati i tij, Mahmut Halimi, e sfidoi këtë pretendim, duke argumentuar se voltazhi i telit të aktivizimit nuk do të ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar shpërthimin.
Halimi paraqiti ekspertiza që dëshmonin se voltazhi i dërguar në vendin e eksplozivit ishte vetëm 40-45 volt, i pamjaftueshëm për të shkaktuar shpërthimin.
“Është fakt që gjeneratori në start ndoshta e qon në 220 vold, por në bazë të parametrave dhe matjeve mandej me ndihmën e njerëzve të elektros e kam bërë, kemi kuptuar se diku rreth 40-45 wolt kanë mundur të mbërrijnë në vendin ku ka qenë i vendosur eksplozivi, e që ka qenë e pamundur që edhe me atë woltazhë të bëhet eksplodimi”, ka thënë Halimi në emisionin “Mendje Kriminale”.
Halimi në “Mendje Kriminale” tregon detaje të padëgjuara më parë të cilat i ka mësuar nga shkresat e lëndës. Dy dëshmitarë që ishin duke u shëtitur e që i kishin vërejtur telat e aktivizimit të shpërthimit, i lajmëruan dy ushtarë britanikë, në vend të mirënjohjes për raportim ata u arrestuan.
“Në atë moment kur këta iu shpjegojnë ushtarëve britanikë për prezencën e dy telave ata në fakt iu vënë pushkën në krye edhe i detyrojnë në u shtri në tokë. Kanë qenë dëshmitarë pastaj kanë qenë të pandehur kanë qëndru në burg nja 4-5 muaj a 6”, ka shtuar Halimi.
Një provë kyçe ishte një mbetje e cigares me ADN-në e Ejupit, që u përdor nga Prokuroria si dëshmi. Kjo provë u dërgua tri herë në laboratorët e Gjermanisë për testime, duke vërtetuar përkatësinë e ADN-së.
Megjithatë, Ejupi dhe avokati i tij pretenduan se kjo provë ishte montuar, duke sugjeruar se cigarja mund të ishte marrë nga vetura e Ejupit gjatë arrestimit të tij.
“Prokuroria e atëhershme e UNMIK-ut edhe Gjykata e kanë pasur në dorët e vet një provë të cilën e kanë konsideru si provën kryesor që ka qenë ajo e ADN-së, kinse një duq i cigares është gjetur në vendin nga ku është aktivizuar eksplozivi. Edhe pastaj nga analizat në Republikën Federale të Gjermanisë që e ka vërtetu se ai duq i takon Florim Ejupit, në bazë të ADN-së”, ka treguar Halimi për “Mendje Kriminale”.
Avokati Halimi gjithashtu ngriti dyshime për zinxhirin e ruajtjes së provës, duke theksuar se nuk kishte mbajtur emrin dhe numrin e njëjtë gjatë transportit dhe kthimit të saj. Kjo e bëri të dyshimtë vërtetësinë e provës.
“Në vend të Policisë së UNIMK-ut për me e kry vendshiqimin vjen një kontigjent të KFOR-it anglez, të cilët e arrestojnë Florim Ejupin e fusin në një thes pa e ditur se kah janë duke e dërguar edhe e rrahin dhe i shkatkojnë lëndime jashtëzëkonisht serioze deri sa e sheh veten diku në këtë bazën ku është kjo inspektorati i Kosovës. Ai ka shpjeguar se në atë kohë egziston mundësi që ai duq i cigares për të cilin është konstatuar se është pjesë e ADN-së nga analiza e kryer e që i përgjigjet ADN-së së tij, më ka shpjegua se ai duq i cigares e vetmja mundësi është që të jetë marrë nga shpuzorja e veturës së tij në ditën kur ka ndodhur ai rast, kur ka ndodhur arrestimi i tij”, ka shtuar Halimi.
“Rrugëtimi i provës kryesore, zingjiri i ruajtës së kësaj prove ka qenë jashtëzakonisht i dyshimt për shkak se një provë kur sigurohet në vendin e ngjarjes ajo me atë numër, edhe me atë shifër të cilën e merr e vazhdon udhëtimin deri kushe e di ku me e dërgu ajo duhet me u kthy me emrin edhe numrin e njëjtë. Këtu nuk e kemi pasur fatin e tillë”.
“Edhe në fund, kam arritur që ta zhvesh atë provë dhe të vijë në përfundim se ajo provë nuk është siguruar nga vendi i supozuar, ai vend i supozuar është i impovizuar dhe i rrejshëm dhe i përgatitur prej dikujt tjetër. Se eksplodimi aktivizimi nuk ka ndodhur nga ai vend sepse nuk ka pasur mundësi kurrfare ngase në afërsi nuk ka pasur rrjet elektrik që me u lidh nga shtyllat ndonjë me e aktivizu edhe me fitu fuqinë”, ka shtuar Mahmuti.
23 vjet pas këtij rasti, avokati në “Mendje Kriminale” shpalos dyshime të reja mbi ata që qëndrojnë prapa shpërthimit, duke sugjeruar se kryerësit mund të kenë përdorur një tunel hekurudhor për t’u larguar shpejt dhe në mënyrë të sigurt në Serbi.
“I vetmi vend ku kryerësit ose ekzekutorët kanë mundur të largohen shpejt dhe në mënyrë të sigurt ka qenë tuneli, i hekurudhës i cili nuk ka qenë nga vendi ku supozohet se ka ndodhur aktivizimi i shpërthimi dikur rreth 100 metra deri në tunel edhe me dal në Serbi atje.”
Florim Ejupi u shpall fajtor nga shkalla e parë me dënimi kapital, 40 vjet burgim. Por më 13 mars 2009, paneli i përzier i Gjykatës Supreme të dënuarin me 40 vjet burgim e liron nga të gjitha akuzat në mungesës së provave.
Shpërthimi në “Nish Express” mbetet një nga ngjarjet më të errëta në historinë e Kosovës, duke lënë ende pyetje të hapura për të zbardhur të vërtetën.