Rasti i rrallë i Benjamin Kopsës

22 dhjetor 2021 | 13:22

F. SCOTT FITZGERALD

Shumë kohë më parë, në vitin 1860, s’kishte kurrgjë të gabuar që gratë të lindnin në shtëpi. Pikërisht tani, sipas të thënave, zotat e madhërishëm të mjekësisë kanë dekretuar se të qarat e para të vogëlushëve duhet të shqiptohen në mjedisin anestezik të spitalit, më saktë në një spital të modës. Kësisoj, rioshët, zoti dhe zonja Buton, ishin pesëdhjetë vjet përpara modës kur, një ditë të bukur të verës të vitit 1860, vendosën që fëmija i tyre i parë duhej të lindte në spital. Nëse ana­kronizmi i tyre kishte ndonjë lidhje me historinë e mahnitshme që unë kam për të shkruar, s’ka për t’u marrë vesh ndonjëherë.

Do t’ju rrëfej se ç’ndodhi, kështu që ju mbetet ta gjykoni vetë.

Roxhër Buton gëzonte pozitë të lakmueshme si shoqë­rore dhe financiare në Baltimorën e paraluftës[1]. Ata bëheshin me filan dhe me aksh familje që, nga ana e saj, sikundër nuk kishte jugor që të mos e dinte, u jepte të drejtë të anëtarësoheshin në fisnikërinë e stër­madhe të vendit që popullonte në një masë të madhe konfederatën. Kjo ishte përvoja e tyre e parë me zakonin e vjetër dhe magjepsës të lindjes së fëmijëve – zoti Buton afërmendsh që ishte nervoz. Ai shpresonte që fëmija të ishte djalë me qëllim që ta dërgonte në Universitetin e Jejllit në Konektikat, ngaqë në atë institucion vetë zoti Buton kishte qenë i njohur për katër vjet me radhë me nofkën deri-diku të spikatshme “Pranga”.

Një mëngjes shtatori, shuguruar ngjarjes së jashtëza­konshme, ai u ngrit gjithë nervozizëm qysh në gjashtë, u vesh, rregulloi një palë doreza që s’kishin të sharë, më pas ngarendi rrugëve të Baltimorës drejt spitalit, për të marrë vesh se mos terri i natës kishte lindur ndonjë jetë të re në gjirin e vet.

Kur ndodhej afërsisht njëqind jardë larg Spitalit Privat për Zonjat dhe Zotërinjtë e Merilëndit atij i zunë sytë doktor Kinin, mjekun e familjes, i cili po zbriste shka­llëve të përparme, duke fërkuar duart si për t’i pastruar – sikurse u kërkohet të bëjnë të gjithë doktorëve me anë të rregullave të mirësjelljes të pashkruara të zejes së tyre.

Zoti Roxhër Buton, presidenti i Roger Button & Co., furnizuesi me shumicë i pajisjeve metalike, nisi të fugonte kah doktor Kini me shumë pak dinjitet, i cili s’pritej nga një zotëri jugor i asaj periudhe interesante.

– Doktor Kini! – thirri ai. – Oh, doktor Kini!

Doktori e dëgjoi, ktheu fytyrën drejt tij dhe nisi ta priste. Një pamje e çuditshme ia kaploi fytyrën prej mjekuesi të sertë teksa zoti Buton i avitej.

– Si ndodhi? – e pyeti zoti Buton kur u ngjit shkallëve duke gulçuar nga nxitimi. – Ç’ishte? Si është ajo? Djalë? Çfarë është? Çfarë…?

– Gjepura! – ia ktheu doktor Kini vrazhdë. Ai dukej paksa i inatosur.

– Vallë, a lindi fëmija? – iu përgjërua të dinte zoti Buton.

Doktor Kini vrenjti vetullat. – Po, ma merr mendja se po… në njëfarë mënyre. – Ai i hodhi rishtas një vështrim të shpejtë të çuditshëm zotit Buton.

– A është mirë ime shoqe?

– Po.

– A është djalë a vajzë?

– Shikoni, – i bërtiti doktor Kini për shkak të zemë­ratës së flaktë që e kaploi, – unë ju kërkoj të shkoni të shihni vetë. I tërbuar! Këtë fjalën e fundit e këputi thuajse në një rrokje, pasandaj u largua duke mërmë­tur: – Pse, si jua merr mendja ju se si një rast i tillë do të ma rritë namin tim profesional? Një si ky do të më rrënonte… do ta rrënonte gjithkënd.

– Si qëndron puna? – kërkoi të dinte i tmerruar zoti Buton. – Trinjakë?

– Jo, jo trinjakë! – ia priti prerazi doktori. – Nëse doni, atëherë shkoni shikojeni vetë. Dhe gjeni një doktor tjetër. Unë të solla në botë, more djalosh, dhe kam qenë mjeku i familjes sate për dyzet vjet me radhë, s’dua të kem më punë me ty! S’dua të të shoh as ty e as të afërmit e tu! Mirupafshim!

Atëherë ai u vrenjt në fytyrë, dhe pa thënë një gjysmë fjale më tej, kërceu në pajtonin që po e priste buzë këmbësores të cilin e nisi i inatosur.

Zoti Buton qëndroi te këmbësorja, i trullosur dhe dridhej nga koka gjer te thembrat. Ç’e papritur e llah­tarshme të kishte ndodhur, vallë? Befas ai s’kishte më pikën e dëshirës të hyjë në Spitalin Privat për Zonjat dhe Zotërinjtë e Merilëndit – veç me vështirësi të jashtë­zakonshme, një çast më pas, ai e detyroi veten të ngjitej shkallëve dhe të futej përmes portës kryesore.

Një infermiere rrinte ulur prapa tryezës së infor­macionit në zymtinë e paqartë të sallonit. Pasi gëlltiti turpin, zoti Buton u avit drejt saj.

– Mirëmëngjesi!, – e vërejti ajo dhe ngriti sytë dhe e pa ëmbëlsisht.

– Mirëmëngjesi! Unë… unë jam zoti Buton.

Sakaq, tmerri ia pushtoi fytyrën vajzës. Ajo brofi në këmbë dhe u duk sikur u bë gati t’ia mbathte nga sa­lloni, duke e përmbajtur veten me vështirësi që binte shumë në sy.

– Dëshiroj ta shikoj fëmijën tim, – i tha zoti Buton.

Infermierja lëshoi një piskamë të vogël. – Oh… sigu­risht! – klithi ajo gjithë histerizëm. – Sipër. Pikërisht lart. Shkoni… sipër!

Ajo tregoi me gisht drejtimin, ndërsa zoti Buton, mbytur prej djersëve të ftohta, u kthye gjithë ngurrim dhe filloi të ngjitej në katin e dytë. Në sallonin e sipërm ai iu drejtua një tjetër infermiereje që iu afrua, me legen në dorë.

– Jam zoti Buton, – ia doli të nyjëtonte ai. – Dëshiroj ta shikoj tim…

Ia pat një kërcitje! Legeni rrapëlliu në dysheme dhe mori drejt shkallëve. Pasuan kërcitje të tjera. Ia pati një zbritje metodike thua sikur merrte pjesë në llah­tarinë e përgjithshme që ngjallte ai zotëria.

– Dua ta shikoj fëmijën tim! – zoti Buton mend sa nuk klithi. Ai gati sa s’po shembej përtokë.

Prau! Legeni kishte arritur në katin e parë. Infermie­rja rimori kontrollin e vetes dhe i hodhi zotit Buton një shikim me përçmim të vërtetë.

– Në rregull, zoti Buton, – pranoi ajo me fill zëri. – Shumë mirë! Veç ta dini se në ç’gjendje na vuri të gjithë këtë mëngjes! S’ka turp më të madh se ky! Spitali s’do t’i ikë më ky nam kaq i keq…

– Nxitoni! – i klithi ai me të ngjirur. – Këtë s’e duroj dot!

– Atëherë ejani këtej, zoti Buton.

Ai u hoq zvarrë pas saj. Në fund të një mesoreje të gjatë ata mbërritën te një dhomë nga e cila dilnin një larmi britmash – vërtet, dhomë që, në të folmen e mëvonshme, do të njihej si “dhoma e të qarave”. Ata u futën. Radhitur anembanë mureve ndodheshin gjashtë krevate të përkundshëm të emaluar me të bardhë fëmijësh, ku secili prej tyre kishte nga një etiketë të lidhur te koka.

– E po, – dihati zoti Buton, – ku është i imi?

– Atje! – ia ktheu infermierja.

Zoti Buton ndoqi me sy gishtin e saj tregues, dhe çka pa ishte kjo: Mbështjellë me një batanije të bardhë fort të vëllimshme, dhe rrasur pjesërisht te një krevat lëkundës, na rrinte ulur një plakush, me ç’duket, gati shtatëdhjetëvjeçar. Flokët e rrallë i kishte pothuajse të thinjur, ndërsa nga mjekra, ndotur prej duhanit, që i tundej në mënyrë krejt qesharake sa para-mbrapa, i bënte veri flladi që vinte nga dritarja. Ai ngriti kokën dhe e pa zotin Buton me ata sytë e tij të zbehtë dhe të zymtë tek të cilët përvidhej një pyetje enigmatike.

– Mos jam çmendur gjë, vallë? – gjëmoi zoti Buton, që llahtaria iu kthye në zemëratë. – Kjo mos është gjë ndonjë shaka e ndonjë spitali të kobshëm?

– Ne s’na duket e tillë, – iu kundërpërgjigj me acari infermierja. – Dhe s’e di nëse jeni apo jo i çmendur… por fëmija juaj me siguri që është i tillë.

Zotit Buton balli iu mbyt nga djersa. Ai kopsiti sytë dhe pasandaj, kur i shkopsiti, pa sërish. S’e kishte asfare gabim – para syve kishte një burrë që mbi supe i rëndo­nin shtatëdhjetë vjet, të cilit i vareshin këmbët tek anët e krevatit përkundës ku po prehej.

Plakareci shikoi për një çast qejfpaprishur sa nga zoti Buton sa nga infermierja, paskëtaj tha papritmas me zë të lashtë dhe të ngjirur:

– Ti je im atë? – kërkoi të dinte ai.

Zoti Buton dhe infermierja brofën të lemerisur.

– Sepse në qofsh, – vazhdoi plakushi me ton idhnak, – dua të më nxjerrësh nga ky vend… ose, të paktën, thuaju të më vënë në një karrige lëkundëse të rehat­shme këtu.

– Prej ku dreqin erdhe ti, mor? Kush je ti? – klithi gjithë tërbim zoti Buton.

– S’ta them dot se kush jam me saktësi, – iu kundër­përgjigj zëri qaraman, – sepse s’kam veçse disa orë që kam lindur… por mbiemrin doemos që e kam Buton.

– Ti gënjen! Ti je mashtrues!

Burri i moshuar iu kthye infermieres i sfilitur:

– Ç’mënyrë e bukur për t’i uruar mirëseardhje një foshnje të sapolindur, – u qa ai me zë të shuar. – Thuaji se e ka gabim, pse s’e bën, pra?

– E keni gabim, zoti Buton, – i tha infermierja me të ashpër. – Ky është fëmija juaj, prandaj durojeni këtë që ju ka rënë pa u ankuar. Ju kërkojmë të bëni ç’është e mundur që ta çoni sa më parë në shtëpi… në çfarëdo orë të ditës së sotshme.

– Në shtëpi?! – përsëriti zoti Buton me mosbesim.

– Puna është që s’e mbajmë dot këtu. Vërtet s’mundemi, apo s’e dini?

– Unë për vete jam shumë i lumturuar të shkoj në shtëpi, – u përlosh plakushi. – S’ka vend më të mirë se ajo për të mbajtur një vogëlush që i pëlqen qetësia. Me gjithë këto çirrma dhe piskama, s’kam mundur të vë fare gjumë në sy. Kërkova të më sillnin gjësendi për të ngrënë, – pikërisht tani zëri i tij mori trajtën e një note proteste vikatësh, – ndërsa ata ja se ç’më sollën: vetëm një shishe qumështi!

Zoti Buton u plas te një karrige që ndodhej afër të birit dhe vuri duart në fytyrë. – Perëndi e madhe! – mur­muriti ai nga jermi i lemerisë. – Ç’do të thotë njerëzia? Nga t’ia mbaj?

– Do t’ju duhet ta shpini në shtëpi, – këmbënguli infer­mierja, – … menjëherë!

Një tablo groteske u përftua me një qartësi të frikshme para syve të burrit të munduar – piktura e tij në të cilën ai ecte përmes rrugëve të qytetit të tejmbushura me njerëz me përhitjen e lemerishme që ecte vjedhurazi anës tij. – S’mundem, s’mundem dot, – ofshi ai.

E ç’do t’u thoshte ai njerëzisë kur ta ndalonin për t’i folur? Ai do të ishte i detyrohej t’ua paraqiste këtë – këtë shtatëdhjetëvjeçar: “Ky është im bir që më lindi herët sot në mëngjes.” E atëherë plakareci do të mbë­shtillej me batanije, kurse ata do të ecnin me hap të rëndë, do t’i kalonin tregtoret plot lëvizje e gjallëri, tregun e skllevërve – për një çast të zi zoti Buton uroi gjithë zjarr që i biri të ishte i zi – shtëpitë luksoze të qendrës së banimit, do të kalonte shtëpinë që ta çonte plakushin…

– Hë, pra, mblidheni veten, de, – dha urdhër infer­mierja.

– Pa mbaj vesh, – tha plakushi befas, – në besofsh se unë mund të vete në shtëpi me këtë batanije, atëherë gabohesh rëndë.

– Foshnjat mbështillen gjithnjë me batanije.

Duke bërë një zhurmë kërcitëse të frikshme, plaku­shi ngriti një petk të bardhë mbështjellës. – Qé, – iu drodh zëri, – këtë kanë bërë gati për mua.

– Foshnjat veshin gjithmonë të tilla, – i tha infermier­rja me vetëpërmbajtje.

– E po, – ia pati plakushi, – ja që kjo foshnja si puna ime ka për t’u zhveshur fare pas rreth dy minutash. Kjo batanije më shkakton të kruara. Të paktën të më kishin dhënë ndonjë çarçaf.

– Vazhdo! Vazhdo! – nxitoi t’i thoshte zoti Buton. Ai iu kthye infermieres. – Ç’të bëj?

– Zbritni në qendër të qytet që t’i blini ca tesha tyt biri.

Zëri i të birit e ndoqi zotin Buton poshtë në sallon:

– Dhe një bastun, atë. Dua të kem një bastun.

Zoti Buton përplasi me zhurmë e gjithë inat portën kryesore…

II

– Mirëmëngjesi!, – i tha zoti Buton, gjithë nervozi­zëm, shitësit të Shoqërisë së Stofrave dhe Metrazheve të Çespikut[2]. – Dëshiroj të blej ca tesha për tim bir.

– Ç’moshë ka fëmija juaj, zotëri?

– Afërsisht gjashtë orësh, – iu gjegj pa nderimin e duhur zoti Buton.

– Njësia me teshat e foshnjave ndodhet prapa.

– Shiko, s’besoj se… as unë vetë s’jam i sigurt se çfarë dua. Ai është… ai është një fëmijë me përmasa tme­rrësisht të mëdha. Është jashtëzakonisht… ah… i stër­madh.

– E po, atje kanë tesha edhe për fëmijët me përmasa shumë të mëdha.

– Ku ndodhet linja e shitjeve për djemtë? – kërkoi të dinte zoti Buton, që u largua i dëshpëruar nga vendi ku qe ngulur. Ai ndiente se shitësi do të binte patjetër në gjurmë të së fshehtës së tij të turpshme.

– Pikërisht atje.

– E po…, – ngurroi ai. Vetë mendimi për ta veshur të birin me rroba burrash atij i ngjallte krupën. Sikur t’ia dilte të gjente një kostum për djalin e tij tejet trup­madh, atëherë ai do t’ia priste atë mjekrën e madhe dhe të tmerrshme dhe do t’ia ngjyente flokët thinjoshë me të kafenjtë, duke u mundur kështu të fshihte më të keqen, dhe të ruante diçka nga vlerësimi për veten e tij – për të mos përmendur pastaj pozitën e tij në ardi­rinë e Baltimorës.

Porse nga kontrolli si i tërbuar që kreu në njësinë e teshave të fëmijëve arriti të zbulonte se nuk kishte kurrfarë kostumi të përshtatshëm për djalin e tij të porsalindur. Afërmendsh, për këtë ai ia vuri fajin shito­res – sikurse ndodh gjithnjë në raste të tilla.

– Sa vjeç thatë se është yt bir? – e pyeti shitësi i kër­shëritur.

– Ai është… gjashtëmbëdhjetëvjeçar.

– Oh, ju kërkoj ndjesë! Pandeha se thatë që ishte gjashtorësh. Njësinë e të rinjve do ta gjeni në korri­dorin tjetër.

Zoti Buton u kthye dhe u largua tejet i trishtuar. Më pas, ndaloi, gjithë optimizëm, dhe drejtoi gishtin kah një manekin i veshur në vitrinë. – Ai atje! – klithi ai.

Shitësi e vështroi fort i habitur. – Çne, – kundërshtoi ai, – ai s’është kostum fëmije. Ia bën mu që s’është i tillë; ai është kostum maskarade. Ai bën për ju!

– Mbështillmani! – këmbënguli blerësi me nervozi­zëm. – S’dëshiroj asnjë tjetër veç tij.

I shtangur, shitësi u bind.

Zoti Buton u kthye në spital dhe pasi hyri në dhomën e fëmijëve ia flaku dengun të birit. – Ja ku i ke rrobat, – i tha ai me harbutëri.

Plakushi zgjidhi dengun dhe pa se çfarë gjendej brenda me sy hetues.

– Mua këto më duken fort qesharake, – u ankua ai. – S’dua të tregohem gomar…

– Ti më ke bërë gomar e çfarë gomari se! – e kundër­shtoi zoti Buton flakë për flakë. – S’ka rëndësi sa qesha­rak dukesh. Vishi… ose… përndryshe do të të heq ndonjë pëllëmbë vitheve. – Ai e gëlltiti me trazim të madh fjalën e fundit, duke qenë i bindur se nuk ishte aspak e pavend që e tha atë fjalë.

– Shumë mirë, baba… – këtë e shprehu me shtirjen groteske të respektit birnor, – ju e keni parë dritën e diellit para meje, prandaj dini se ç’bëni. Po veproj siç më thatë.

Pikërisht si më parë, shqiptimi i fjalës “baba” bëri që zoti Buton të brofte i inatosur.

– Dhe nxito, të shkretën.

– Atë po bëj, baba.

Kur i biri mbaroi së veshuri, zoti Buton e pa i dësh­përuar. Veshja përbëhej nga çorapë pikaloshe, panta­llona ngjyrë karafili, një bluzë vija-vija me jakë të gjerë të bardhë. Pikërisht përmbi këtë tundej e shkundej mjekra bardhëllemë që i shkonte gjer në bel. Pamja nuk ishte e bukur.

– Dale!

Zoti Buton mbërtheu një palë gërshërë spitali dhe me tri lëvizje të vrullta i preu të birit një pjesë të madhe të mjekrës. Por, me gjithë këtë përmirësim kostumi linte shumë për të dëshiruar. Flokët e shpupurishura si fije furçe, sytë e ujët dhe dhëmbët e moçëm, çuditë­risht binin ndesh me pamjen e ëmbël të petkave. Prapë­seprapë, zoti Buton ishte kokëngjeshur – ai shtriu dorën. – Eja me mua! – tha ai ashpër.

I biri ia shtrëngoi dorën gjithë mirëbesim. – Ç’emër ke për të më ngjitur, babi? – atij iu drodh zëri teksa po largoheshin me këmbë nga dhoma e fëmijëve. – … Më thirr “foshnjë” veç për një kohë të shkurtër, derisa të më kesh gjetur një emër më të mirë.

Zoti Buton hungëriu. – S’e di, – u përgjigj ai vrazhdë. – Besoj se do të të quajmë Metuselah[3].

III

Edhe pasi shtojca e re që u bashkua me familjen Buton u detyrua t’i priste flokët shkurt dhe më pas t’i ngjyente me bojë të zezë të çuditshme të dobët të paktë, ndërsa mjekrën e rroi aq shumë aq sa i shkel­qeu dhe i veshën rroba prej djaloshi të vogël qepur nga një rrobaqepës i mahnitshëm, por prapëseprapë zoti Buton e kishte krejt të pamundur ta shpërfillte faktin se i biri nuk e kishte hak të quhej fëmija i parë i familjes. Pavarësisht se ishte i kërrusur nga pleqëria, Benjamin[4] Buton – sepse këtë emër i vunë në vend se emrin e përshtatshëm ndonëse të papëlqyeshëm në rastin e tij Metuselah – ishte pesë këmbë dhe tetë inçë i gjatë. Rrobat e tij nuk e fshihnin dot një gjë të tillë, as vetullat e prera shkurt dhe të ngjyera nuk fshihnin dot faktin se sytë që gjendeshin poshtë tyre ishin të zbër­dhulur, të ujët e të lodhur. Në të vërtetë, dadoja e foshnjës, të cilën e kishin pajtuar në punë qysh më përpara, u largua tejet e zemëruar nga shtëpia sapo e pa për herë të parë atë.

Mirëpo, zoti Buton nguli këmbë në plotësimin e qëllimit të tij të palëkundshëm. Benjamini ishte foshnjë dhe i tillë duhej të mbetej. Fillimisht, ai bëri të ditur se në rast se Benjaminit nuk i pëlqente qumështi i ngrohtë atëherë ta mbante barkun me dorë, porse në fund iu mbush mendja t’i lejonte të birit të hante bukë dhe gjalpë, madje edhe bollgur, shenjë kjo e epjes nga ana e tij. Një ditë prej ditësh qëlloi që ai solli në shtëpi një rraketake dhe, pasi ia dhuroi Benjaminit, këmbënguli me fjalë të paqarta se ai duhej të “luante me të”, prandaj plakushi e mori fytyrëlodhur dhe dëgjohej zhurma që lëshonte ajo teksa ai luante me të në mënyrë të bindur me hope gjatë gjithë asaj dite.

Gjithsesi, nuk kishte pikë dyshimi se rraketakja e mërziti atë, kështu që ai gjeti zbavitje të tjera më qetë­suese pasi e lanë vetëm. Për shembull, zoti Buton zbu­loi një ditë të javës paraprijëse se ai kishte tymosur cigare si kurrë më parë – dukuri që mori shpjegim vetëm disa ditë më vonë, kur teksa hyri në dhomën e fëmi­jëve papritmas, ai pa dhomën të mbushur plot e për­plot me tymin e dendur të bruztë të çelur dhe Benja­minin, me shikim prej fajtori, duke u orvatur ta fshihte bishtin e puros së errët të Havanës. Kjo doemos bëri që t’i hiqte një pëllëmbë të fortë vitheve të birit, porse zoti Buton kuptoi se e kishte krejt të pamundur ta vinte nën kontroll një gjë të tillë. Ai thjesht e paralaj­mëroi të birin se pirja e duhanit do t’i “pengonte rritjen”.

Sidoqoftë, ai vazhdoi siç e kishte zakonin. I sillte të birit në shtëpi ushtarë prej plumbi për lojëra, trena lodër, kafshë të mëdha e të bukura prej pambuku dhe, si për ta përplotësuar iluzionin që po krijonte – së paku për vetveten – ai e pyeti gjithë zjarr shitësin e shitores së lodrave se mos “rosës ngjyrë karafili i dilte boja në qoftë se foshnja e fuste atë në gojë”. Por, pavarësisht tërë përçapjeve të të atit, Benjamini s’pranoi që t’i ngjallej interesi. Ai zbriste shkallët e shërbimit vjedhu­risht dhe kthehej në dhomën e fëmijëve me një vëllim të Enciklopedisë britanike, mbi të cilin zhytej duke kaluar një pasdite të tërë, ndërsa shpërfillte lopët prej pambuku dhe Arkën e Noes në dysheme. Kundrejt një kokëfortësie të tillë përpjekjet e zotit Buton nuk kishin kurrfarë dobie.

Ndjesia që u krijua në Baltimorë fillimisht ishte ogurzezë. Çmimi i peripecive që u ngjanë Butonëve dhe farefisit të tyre nuk mund të përcaktohet ngaqë shpërthimi i Luftës Vëllavrasëse e drejtoi vëmendjen drejt gjërave të tjera. Një grusht njerëzish, që pady­shim ishin të sjellshëm, shtrydhën mendjen se çfarë urimesh t’u përcillnin prindërve të Benjaminit – dhe në fund sajuan marifetin duke shpallur se foshnja i për­ngjiste të gjyshit, fakt që, sipas gjendjes së pandry­shueshme të plakjes që ishte i njëjtë për të gjithë burrat shtatëdhjetëvjeçarë, nuk kishte si të mohohej dot. Kjo s’i kënaqi zotin dhe zonjën Buton, ndërsa gjyshi i Benjaminit u fye aq shumë sa iu ngritën nervat paq.

Me t’u larguar nga spitali, Benjamini e mori jetën ashtu si i erdhi. Atij i sillnin disa djem të vegjël për t’u takuar dhe kaloi një pasdite i ngrirë i tëri duke u për­pjekur t’i ngjallej interesimi lidhur me lojën me gura­lecë dhe rruzuj – madje ai ia doli, krejt rastësisht, ta thyente xhamin e dritares së një kuzhine me gurin që lëshoi me hobe, një veprim prej trimoshi për të cilin i ati u kënaq pa e dhënë veten.

Mbas kësaj, Benjamini ia doli të thyente gjësendi përditë, mirëpo ai i bënte këto gjëra ngaqë pritej të vep­ronte kështu, dhe se prej natyre ishte njeri që nuk prishte qejf.

Kur armiqësia fillestare iu davarit të gjyshit, Benja­mini dhe ai zotëria kënaqeshin jashtë mase në shoqe­rinë e njëri-tjetrit. Ata rrinin së bashku për orë të tëra, këta dy njerëz që ndryshonin shumë qoftë në moshë e qoftë në përvojë dhe, bash si miq të vjetër e të ngushtë, diskutonin me monotoni të palodhshme ngjarjet e ngadalta të ditës. Benjamini ndihej më rehat në pra­ninë e të gjyshit sesa në atë të prindërve të tij – ata gjithmonë dukeshin sikur e nderonin gjithë frikë dhe, pavarësisht prej autoritetit diktatorial që ushtronin tek ai, i drejtoheshin gjithnjë me “zoti”.

Ai ishte po aq i hutuar sa gjithkush tjetër në moshën e thyer në dukje të mendjes dhe të trupit të tij që në lindje. Ndonëse lexonte me kujdes të madh gazetën mjekësore, prapëseprapë zbuloi se asnjë rast tjetër i ngjashëm me të tijin s’ishte dokumentuar më parë. Me nxitjen e të atit, ai bëri përpjekje të vërteta për të luajtur me djemtë e tjerë, dhe zakonisht bashkohej me ta në lojëra që ishin të padëmshme – futbolli e tron­diste aq shumë, dhe kishte frikë se mos në rast thyerje, kockat e tij të moçme s’do t’i ngjiteshin.

Kur mbushi pesë vjeç e çuan në kopshtin e fëmijëve, ku e mësuan të ngjiste letra të blerta me ato portokalli, të ngjyroste harta dhe të bënte varëse prej kartoni. Ai kishte prirjen ta zinte gjumi pikërisht në mes të këtyre detyrave, zakon që jo vetëm e inatoste, por edhe i shtinte frikën mësueses së tij rioshe. Për lehtësimin e tij ajo iu ankua prindërve të tij, dhe Benjaminin e hoqën nga shkolla. Roxhër Buton u tregoi miqve të familjes së tij se ata e ndienin se ai qe mjaft i ri.

Kur Benjamini mbushi dymbëdhjetë vjeç prindërit e tij qenë mësuar me të. Në të vërtetë, aq e madhe ishte forca e përkrahjes nga ana e tyre sa ata nuk pandehnin se ai ndryshonte nga gjithë fëmijët e tjerë – përveç kur ndonjë çrregullim i çuditshëm u sillte atyre ndër mend faktin në fjalë. Mirëpo, një ditë prej ditësh, disa javë mbas ditëlindjes së tij të dymbëdhjetë, teksa shikohej në pasqyrë, Benjamini bëri, apo pandehu se bëri, një zbulim tronditës. Mos po e gënjenin gjë sytë, apo mos flokët e tij qenë kthyer në vitet e jetës së hershme të jetës së tij ku nga thinjoshe i qenë kthyer në të hirtë metalike si pasojë e bojës që ka aftësi fsheharake? Vallë, rrjeti i rrudhave në fytyrë mos po i dilte më pak në pah? Vallë, lëkurën mos e kishte më të shëndet­shme dhe më të fortë, madje edhe një grimë të ngjyrës së kuqe dimërore? Ai nuk arrinte ta kuptonte dot. Dinte vetëm se nuk ishte më i kërrusur dhe se gjendja fizike i qe përmirësuar qysh nga ditët e hershme të jetës.

“A thua të jetë vallë…?” – mendoi ai apo, më saktë, guxoi të mendonte.

Ai vajti tek i ati. – Tani jam rritur, – shpalli ai i vendosur. – Ndaj dua të vesh pantallona të gjata.

I ati ngurroi. – E po, – i tha ai në fund, – s’e di. Kur të bëhesh katërmbëdhjetë vjeç është koha për të veshur pantallona të gjata… ndërsa ti je veçse dymbëdhjetë.

– Por ti s’e mohon dot, – kundërshtoi Benjamini, – se unë jam shumë i bëshëm për moshën time.

I ati e pa me një vështrim fort ngashënjyes. – Oh, unë për vete s’jam i sigurt për këtë, – i tha ai. – Në moshën dymbëdhjetëvjeçare isha po aq trupmadh sa ti.

Kjo nuk ishte asfare e vërtetë – qe pjesë e marrëve­shjes së heshtur që Roxhër Buton kishte bërë me vete për t’i besuar gjendjes së zakonshme të të birit.

Në fund u arrit marrëveshja. Benjamini duhej të vazh­donte t’i ngjyente flokët. Duhej të përpiqej më shumë të luante me djemurinë e moshës së tij. S’duhej të mbante gjyzlykë apo të ecte me bastun në rrugë. Si shpër­blim për lëshime të tilla, atij iu dha kostumi i tij i parë me pantallona të gjata…

IV

Sa i përket jetës së Benjamin Buton nga mosha dymbëdhjetë deri në njëzet e një vjeç nuk kam ndër mend të flas shumë. Mjafton të them se ato ishin vite të mosrritjes së zakonshme të tij. Kur ishte tetëmbë­dhjetë vjeç, Benjamini ishte shtatdrejtë si një pesë­dhjetëvjeçar; kishte më shumë flokë të cilët i kishin marrë ngjyrë thinjoshe të errët; hapin e kishte të sigurt, zëri i kishte humbur atë dridhjen e çjerrë dhe i qe shndërruar në zërin e një baritoni të shëndetshëm. Kësisoj, i ati e çoi në Konektikat që t’u nënshtrohej pro­vimeve për të hyrë në Universitetin e Jejllit. Benjamini i mori provimet dhe u bë student i klasës së vitit të parë.

Ditën e tretë të pranimit të tij në universitet ai mori një lajmërim nga zoti Hart, kryesekretari i universi­tetit, që t’i bënte një vizitë të shkurtër në zyrë për ta rregulluar programin mësimor të tij. Benjamini, tek u hodhi një vështrim të shpejtë flokëve, vendosi se atyre u nevojitej një lyerje e re me bojë kafe, por nga një kontroll i shpejtë që bëri në sirtarin e tryezës së tij të shkrimit, zbuloi se shishja me bojë nuk ndodhej atje. Atëherë iu kujtua se e kishte zbrazur një ditë më parë, të cilën e kishte hedhur më pas.

Ai ishte mëdyshas. I duhej të paraqitej pikërisht pas pesë minutash te zyra e kryesekretarit. Dukej se nuk kishte ç’të bënte – duhej të shkonte ashtu siç ishte. Dhe vajti pikërisht ashtu.

– Mirëmëngjesi!, – i tha kryesekretari me mirësjellje. – Keni ardhur të pyetni për tët bir?

– Ç’është e vërteta, ndonëse mbiemrin që mbaj është Buton… – filloi të thoshte Benjamini, por zoti Hart ia preu fjalën në mes.

– Më bëhet qejfi që po ju takoj, zoti Buton. Pres të vijë biri juaj nga minuta në minutë.

– Unë jam ai! – shpërtheu Benjamini. – Jam student i vitit të parë.

– Si?!

– Jam student i vitit të parë.

– Sigurisht që po talleni.

– Aspak.

Kryesekretari vrenjti vetullat dhe i hodhi një vështrim të shpejtë kartës së anëtarësisë që kishte para. – Çne, në këtë kartë anëtarësie Benjamin Buton ka moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

– Kaq jam edhe unë, – pohoi Benjamini, që i ra një i kuq i lehtë në fytyrë.

Kryesekretari ia nguli sytë gjithë mërzi. – Tani, afërmendsh, zoti Buton, që ju nuk pritni që unë t’i zë besë kësaj.

Benjamini qeshi i mërzitur. – Unë jam tetëmbëdhjetë vjeç, – i përsëriti ai.

Kryesekretari tregoi vrazhdë me gisht nga dera. – Shporru, – i tha ai. – Jashtë nga universiteti dhe nga qyteti. Ti nuk je tjetër veçse një i përhënur i rrezik­shëm.

– Po unë jam tetëmbëdhjetë vjeç.

Zoti Hart hapi derën. – Hajde mendje, hajde! – bërtiti ai. – Një burrë në moshën tënde që orvatet të hyjë këtu si student i vitit të parë. The se ishe tetëmbëdhjetë vjeç, apo jo? E po, unë po të jap tetëmbëdhjetë minuta kohë që të largohesh nga qyteti.

Benjamin Buton u largua me dinjitet nga dhoma, dhe gjashtë studentë të padiplomuar, që po pritnin në sallon, e përcollën me sy gjithë kërshëri. Mbasi qe lar­guar paksa ai ktheu kokën, e pa në fytyrë kryesekreta­rin e tërbuar që po rrinte ende te pragu i derës, dhe i përsëriti me zë të prerë:

– Unë jam tetëmbëdhjetë vjeç.

Benjamini iu largua korit të kukurisjeve që u ngritën nga togu i studentëve të padiplomuar.

Por nuk kishte qenë e thënë që ai të shpëtonte kaq lehtë. Gjatë trishtimit që ndiente teksa përshkonte rrugën drejt qëndresës së hekurudhës ai pa se po e ndiqte një grumbull, më pas një dyndje dhe në fund nga një luzmë e dendur studentësh të padiplomuar. Fjala kishte marrë dhenë se një i marrë pati kaluar provimet hyrëse në Universitetin e Jejllit dhe ishte orvatur të shtirej sikur qe riosh tetëmbëdhjetëvjeçar. Ethet e emocioneve kishin kapluar gjithë universi­tetin. Burrat vraponin pa kapela nga klasat, skuadrat e futbollit lanë stërvitjen dhe iu bashkuan turmës, bashkë­shortet e profesorëve me kapuçat skiç dhe me krinolinat e çrregullta, ngarendën dhe me të bërtitura iu bashkuan varganit, nga i cili dilnin një sërë vërejtjesh që u drej­toheshin ndjenjave të buta të Benjamin Buton.

– Ai duhet të jetë Çifuti Endacak[5]!

– Me moshën që ka ai duhet të shkojë në shkollë të mesme!

– Pa shikoni gjeninë e tij prej të mituri!

– Ai pandehte se kjo ishte shtëpi pleqsh.

– Shko në Harvard, more!

Benjamini i shpejtoi hapat dhe pas pak ia dha vrapit. Do t’ua tregonte mirë qejfin! Do të shkonte në Harvard dhe atëherë ata do të pendoheshin për këto tallje të papeshuara!

I sigurt në bordin e trenit për në Baltimorë, ai e nxori kokën nga dritarja dhe u thirri me sa kishte në kokë:

– Do të pendoheni për këtë!

– Ha-ha! – qeshën me të madhe studentët. – Ha-ha-ha! Ky ishte gabimi më i madh që kishte bërë ndonjë­herë Universiteti i Jejllit…

V

Në vitin 1880 Benjamin Buton mbushi njëzet vjeç, dhe ditëlindjen e tij e lajmëroi duke shkuar të punonte për llogari të të atit në Roger Button & Co., në Shitjen me Shumicë të Artikujve Metalikë. Pikërisht në po këtë vit ai nisi “të bëhej me shoqërinë” – domethënë, i ati nguli këmbë ta çonte në disa vallëzime të modës. Tanimë, Roxhër Buton ishte pesëdhjetë vjeç dhe ai dhe i biri ishin më të shoqërueshëm – në të vërtetë, qëkurse Benjamini kishte reshtur së ngjyeri flokët (që i kishte ende thinjoshe) ata dukeshin moshatarë, pran­daj i merrnin për vëllezër.

Një mbrëmje të gushtit ata hipën në pajton veshur me frak dhe vajtën për të vallëzuar në shtëpinë e Shevlinëve në fshat, e cila ndodhej pikërisht në të dalë të Baltimorës. E mahnitshme ishte mbrëmja. Hëna e plotë e lagte udhën duke i dhënë ngjyrën e platinit të pashkëlqimtë, ndërsa lulet e të korrave të çelura së voni hukatnin erëmirat në ajër që ishin bash si të qeshura të ulëta dhe kukurisëse. Vendi i hapur, i cili në të dyja anët e rrugës qe shtruar me një qilim prej gruri bardhosh, qe gjysmë i tejdukshëm pikërisht si në mes të ditës. Ishte krejt e pamundur të mos ndiko­heshe nga bukuria e plotë e qiellit – vërtet.

– Stofrat dhe metrazhet i pret një e ardhme e ndritur, – po thoshte Roxhër Buton, që nuk është se ishte ndonjë njeri fetar – ndjenja e tij estetike ishte krejtë­sisht fillestare.

– Të moshuarit si puna ime s’mësojnë më dot mari­fete të reja, – vërejti ai seriozisht. – Kjo e ardhme ju pret pikërisht ju të rinjve që keni energji dhe gjallëri.

Tutje në rrugë u shfaqën dritat e shtëpisë së fshatit të Shevlinëve, mbas pak drejt tyre nisi të vinte me ngulm një zhurmë rënkuese – duhej të ishte qarja e shkëlqyer e violinave apo fëshfërimat e grurit të argjendtë poshtë hënës.

Ata u ndalën prapa një pajtoni të hijshëm udhëtarët e të cilit po zbritnin te porta. Doli një zonjë, më pas një zotëri i moshuar, në fund një zonjushë, e bukur si vetë mëkati. Benjamini brofi; thuajse një ndryshim kimik u duk sikur ia shpërbëri dhe bashkoi rishtas ele­mentet e trupit të tij. Shtangësia e pushtoi, gjaku i vajti gjer te faqet dhe balli, ndërsa veshët i buçitnin pare­shtur. Kjo qe dashuria e tij e parë.

Vasha ishte thatanike dhe e brishtë, flokët i kishte të përhirta nën dritën e hënës dhe ngjyrë mjalti nën rrezet stërpikëse të llambave me gaz në verandë. Supeve kishte hedhur një shall prej mëndafshi spanjoll me ngjyrë të verdhë shumë të çelur, me pala zijoshe; te mëkrejsa ku dalloheshin këmbët kishte sumbulla vezulluese që bashkë me fustanin i tundeshin gjithë gjallëri.

Roxhër Buton u anua pas të birit. – Ajo, – i tha ai, – është rioshja Hilldëgard Monkrifi, e bija e gjeneralit Monkrif.

Benjamini tundi kokën ftohtë. – Krijeskë e hijshme, – tha me moskokëçarje ai. Por kur djaloshi zezak largoi kaloshinin, ai shtoi: – Babi, a mund të më njohësh me të.

Ata iu afruan një grumbulli ku zonjusha Monkrif qëndronte në qendër të vëmendjes. Meqë ishte rritur sipas traditës së vjetër, ajo përkuli kurmin disi në shenjë mirësjelljeje para Benhaminit. Po, ai duhej të vallëzonte me të. E falënderoi atë dhe u largua – duke iu marrë këmbët.

Ndërkoha derisa t’i vinte radha mënoi aq shumë, sa u duk sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ai rrinte ngjitur pas murit, i heshtur, i pahetueshëm, duke këqyrur me vështrim prej vrasësi gjakun e ri të Baltimorës teksa shtilleshin rreth Hilldëgardë Monkrifit, admirimi i zjarrtë u dallohej në fytyrë. Sa të pështirë që i duke­shin ata Benjaminit; sa i pështirë optimizmi i tyre! Mustaqet e tyre të kafenjta të përdredhura i zgjuan atij një ndjesi të përngjashme me mostretjen.

Por kur i erdhi radha, dhe bëri përpara së toku me të në sallë për ta vallëzuar valsin e fundit që kishte ardhur nga Parisi, smira dhe ankthi iu tretën porsi shtresë dëbore. I verbuar nga magjepsja, ai ndjeu sikur jeta sapo kishte filluar.

– Ju dhe yt vëlla erdhët këtu njëlloj si ne, apo jo? – e pyeti Hilldëgarda, e cila ngriti kokën dhe e vështroi me ata sytë që i kishte si llak i bruztë i shndritshëm.

Benjamini ngurroi. Në qoftë se ajo e kishte marrë për vëllanë e të atit, atëherë a nuk do të ishte më mirë sikur ai t’ia sqaronte të vërtetën? Sakaq atij iu kujtua përvoja që kishte kaluar në Universitetin e Jejllit, kështu që vendosi të mos e bënte. S’do të ishte e hijshme të kundërshtoje një zonjë; do të ishte vërtet kriminale të shkatërroje një rast të tillë të hatashëm duke i treguar historinë groteske të prejardhjes së tij. Këtë mund ta bënte mbase më vonë. Kështu që ai pohoi me kokë, vuri buzën në gaz, mbajti vesh dhe u lumturua.

– Unë i kam qejf njerëzit e moshës suaj, – i bëri me dije Hilldëgarda. – Djemtë rioshë janë kaq idiotë. Ata më tregojnë sa shampanjë pinë në universitet dhe sa para lënë në kumar. Burrat në moshën tuaj dinë si t’i çmojnë gratë.

Benjamini e pa veten në prag të bërjes së propozimit – porse e përmbajti nxitjen.

– Ju ndodheni pikërisht në moshën më romantike, – vazhdoi ajo. – … Pesëdhjetë vjeç. Për mua mosha njëzet e pesë vjeç është mosha kur s’merr vesh shumë nga bota; tridhjetë vjeç është mosha kur njeriu priret të zbehet nga puna rraskapitëse; dyzetë vjeç është mosha kur nevojiten net dimri për të treguar histori të gjata; ndërsa gjashtëdhjeta është mosha… oh, është shumë afër të shtatëdhjetës; por pesëdhjeta është mosha e pjekurisë së plotë. Unë mbaroj pas pesëdhjetëvjeça­rëve.

Pesëdhjetë vjeç i dukej Benjaminit mosha e artë. Sa shumë gjakonte të ishte pesëdhjetë vjeç.

– Unë e kam thënë gjithmonë, – vazhdoi Hilldëgarda, – se më mirë pranoj të martohem me një burrë pesëdhjetë­vjeçar dhe të kujdesohem për të sesa ta vras mendjen të martohem me një tridhjetëvjeçar që më pas të për­kujdesem për të.

Pjesa e mbetur e mbrëmjes për Benjaminin qe mbë­shtjellë me një tis në ngjyrën e mjaltit. Hilldëgarda vallëzoi me të edhe dy vallëzime të tjera, dhe ata zbuluan se merreshin vesh me njëri-tjetrin në mënyrë të mahnitshme mbi gjithë çështjet e ditës. Ajo do të udhëtonte së toku me të në të njëjtën karrocë të dielën tjetër, duke i shtjelluar më tej çështjet në fjalë.

Teksa po ktheheshin në shtëpi pikërisht para se t’ia shkrepte perëndimi, kur bletët e para zunë të zukatnin dhe hëna e zbehtë vezullonte në vesën e freskët, Benja­mini kuptoi ashtu si në tym se i ati po fjalosej për shitjen me shumicë të pajisjeve metalike.

– … Çfarë beson se duhet ta meritojë vëmendjen tonë pas çekanëve dhe gozhdëve? – po thoshte plaku Buton.

– Dashuria, – iu gjegj Benjamini pa e pasur mendjen.

– Dorezat?! – thirri i habitur Roxhër Buton. – Çne, unë sapo e kam mbyllur çështjen e dorezave.

Benjamini e pa atë i habitur ndërkohë që në qiell në lindje po shkrepte drita, dhe një beng po gogësinte me zë therës te pemët e gjallëruara…

 

(Novelën e plotë mund ta lexoni në revistën “Akademia”, nr. 12. Përktheu nga anglishtja: Klodian Briçi. Të drejtat e botimit, “Armagedoni”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamurtari ka shënuar fitore ndaj Prishtinës me rezultat 64:57 (20:15,…