Rasti i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, ZPS mbyll paraqitjen e provave

16 prill 2025 | 09:58

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se e ka përmbyllur paraqitjen e provave në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Në komunikatën për media, thuhet se deri në tani ZPS-ja i ka thirrë 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale në shumë gjuhë.

“Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore. Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

“Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave. Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara”, thuhet tutje në njoftim

“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar.

Prokurorja e Specializuar shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që ZPS-ja të paraqiste provat e saj.

“Ne duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura,” vazhdoi znj. West.

“Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”.

Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka nisur më 3 prill 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme të ZRRE-së është aprovuar shtrenjtimi i…