Rasti kundër krerëve të UÇK-së: Specialja hulumton Facebook-un për prova, merr materiale edhe nga EULEX-i
Periudha e fillimit të marsit pritet të jetë koha kur ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare do të fillojë gjykimi në Dhomat e Specializuara të Speciales në Hagë.
Para nisjes së gjykimit, Prokuroria ka rifreskuar Listën e Provave, duke futur në të dokumente e deklarata të ardhura nga burime të ndryshme në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Një nga rifreskimet në Listën e Provave që Prokuroria e Specializar, lidhet me pretendimet dhe dyshimet për krime të kryera në të ashqutuajturën Qendrën e Ndalimit në Gjilan. Për të, Prokuroria bën me dije se ka marrë dokumente nga misioni ligjvënës i BE-së, EULEX më 17 mars të vitit të kaluar.
Në një parashtresë që e ka parë lajmi.net, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se këto dokumente i ka shqyrtuar dhe analizuar, duke mbajtur vetëm ato që nuk janë të njëjta me ato që i ka pasur në posedim më herët.
“Prokuroria kërkon të ndryshojë Listën e saj Ekspozuese me një grup dokumentesh të përzgjedhura nga një grup voluminoz dokumentesh të pranuara nga EULEX më 17 mars 2022. Pas marrjes, këto dokumente u shqyrtuan dhe u vlerësuan, duke përfshirë kundër – dokumente të tjera tashmë në Listën e Ekspozimeve, në këtë formë, për të hequr dublikatat.
Dokumentet e përzgjedhura kanë të bëjnë me hetimet mjeko-ligjore që identifikuan mbetjet e [REDAKTUR]. Më 22 prill 2022, gjyqtari i procedurës paraprake autorizoi ndryshimet në aktakuzë në lidhje me këto viktima. Rëndësia e këtyre dokumenteve shtesë mjeko-ligjore me rastin, rrjedhimisht, ishte e varur nga ai vendim”, bëhet e ditur në parashtresë.
Parashtresa sqaron se dokumentet kanë të bëjnë me hetimet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe Gjykatës së Hagës për krimet e kryera në ish-Jugosllavi.
“Të gjitha këto dokumente kanë të bëjnë me hetimet e KFOR-it, UNMIK-ut, ICTY-së dhe EULEX-it lidhur me këto viktima, në veçanti, ekzaminimin e varreve dhe zhvarrosjet, autopsitë dhe identifikimet përkatëse.
Ato janë të rëndësishme sepse janë versione më cilësore të dokumenteve tashmë në listën e ekspozitave ose ofrojnë dëshmi unike dhe/ose kontekstuale që promovojnë një kuptim më të mirë të ngjarjeve dhe dokumenteve të lidhura në listën e provave”, thuhet tutje në dokument.
Çka rifreskoi tjetër Prokuroria në Listën e Provave?
Hetuesia e Speciales në rastin kundër krerëve të UÇK-së duket të jetë shërbyer edhe me materiale të publikuara nga disa faqe në Facebook.
Këtë e konfirmon edhe vet ajo, duke bërë me dije se ka marrë shtatë fotografi nga një faqe në Facebook, emri i të cilës është redaktuar.
Këto fotografi lidhen me të ashtuquajturën Qendër Ndalimi në Novobërdë dhe të njëjtat janë publikuar në mars të vitit të shkuar.
“Prokuroria kërkon autorizim për të shtuar shtatë fotografi në listën e saj të provave që i ka shkarkuar nga faqja e Facebook-ut e [REDAKTUAR] në fund të marsit 2022, pas [REDAKTUAR]. Pas identifikimit dhe shkarkimit të fotografive, Prokuroria i shqyrtoi ato dhe vlerësoi rëndësinë e tyre për rastin
“Fotografitë e kërkuara janë realizuar brenda të njëjtit afati kohor të krimeve të pretenduara në vend. Një fotografi tregon atë që duket të jetë vendi i paraburgimit në Novobërdë/Novo Brdo në vitin 1999.
Fotografitë e mbetura tregojnë [REDAKTUAR] me anëtarë të tjerë të UÇK-së. Shtimi i materialeve të kërkuara në këtë moment përbën paragjykim minimal për Mbrojtjen, pasi fotografitë janë të kufizuara në numër dhe shtrirje”, thotë Prokuroria e Speciales.
Përveç këtyre materialeve, Prokuroria në Listën e saj të Provave ka futur edhe deklarata të dëshmitarëve që më herët nuk i ka pasur në listë.
Në një rast, Prokuroria përshkruan se për arsye që nuk janë zbuluar, një intervistë me një dëshmitar është ndërprerë në gjysmë. I njëjti është thirrur pas gati një viti dhe ka vazhduar dëshminë e tij para prokurorëve të Hagës.
Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë në paraburgim në Speciale që nga nëntori i vitit 2020. Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza.
Deri sot, nga të gjitha panelet dhe pavarësisht garancive, atyre u është mohuar secila kërkesë për mbrojtje në liri.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së pritet të nis në mars dhe të zgjasë mbi 5 vite.
Rifreskimi i Listes se Provave!